75 Mall Live Search
14:41 / E Premte, 02 Janar 2026 / KV

Raportohet për radhë të gjata në Vërmicë, shtetasit e Shqipërisë ua mësyjnë pikave turistike të Kosovës

Një fluks i lartë mjetesh, kryesisht me targa të Shqipërisë, është regjistruar gjatë ditës së sotme në pikën e kalimit kufitar të Vërmicës, në kufirin Shqipëri–Kosovë. Ky fluks ka shkaktuar radhë të gjata automjetesh, të cilat shtrihen deri në fshatin Morinë.

Qytetarë të shumtë nga Shqipëria po shfrytëzojnë pushimet e festave të Vitit të Ri për të udhëtuar drejt Kosovës, kryesisht për të pushuar në zonat turistike malore si Prevalla dhe Brezovica, të cilat aktualisht janë të mbuluara nga bora dhe ofrojnë kushte të favorshme për turizmin dimëror.

Autoritetet kosovare të Doganës në Vërmicë po punojnë me të gjitha sportelet e hapura, megjithatë fluksi i lartë i mjeteve mbetet i vështirë për t’u përballuar.

Në radhë ka edhe automjete me targa të huaja, të cilat, ndryshe nga mjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës, i nënshtrohen kontrolleve më të detajuara, çka ndikon në zgjatjen e pritjes në kufi.