13:07 / E Premte, 05 Janar 2018 / indeksADMonline

Raportuesi i PE-së jep lajm të mirë për kosovarët: Vizat do të hiqen shumë shpejtë 

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Šoltes, në një intervistë ekskluzive për Indeksonline, ka thënë se qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që kanë mbetur të izoluar për shkak të regjimit të vizave. Ai thotë se janë duke punuar që sa më shpejtë të hiqen vizat dhe të realizohet lëvizja e lirë në zonën shengen për kosovarët.

Šoltes ka ripërsëritur qëndrimin e BE-së, se para se të arrihet nënshkrimi për lëvizje të lirë, Qeveria e Kosovës duhet të gjejë konsensus në parlament për arritur ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi si dhe të tregoj rezultate në luftën kundër korrupsionit.

Ai gjithashtu në këtë intervistë ka shpjeguar se Qeveria e Kosovës duhet të filloi të stabilizoi aspektin socio-ekonomik, kryesisht për të përmirësuar standardet e jetesës.

Indeksonline: Si i vlerësoni arritjet e Kosovës në rrugën e integrimit në BE?

Igor Šoltes: Sa i përket arritjeve të Kosovës në rrugën e saj të integrimit në BE unë mund të them se do të presim që raporti i progresit i Komisionit Evropian që pritet të publikohet në prill 2018 do ta tregoi më së miri këtë gjë.

Duhet të them se pritjet janë të mëdha, por ne do të jemi të vetëdijshëm se përparimi nuk është më shumë i rëndësishëm për vetë BE-në, sa është për Kosovën dhe qytetarët e saj. Kryesisht për të përmirësuar standardet e jetesës, si dhe situatën socio-ekonomike në vend dhe për të përmirësuar perspektivën për të gjitha gjeneratat në Kosovë.

Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që të kemi një mjedis transparent të biznesit, të krijojmë një luftë efektive kundër korrupsionit, të krijojmë një shtet ligjor të mirëfunksionuar dhe të sigurohemi që të ekzistojë një sistem gjyqësor i pavarur dhe gjithashtu të sigurojmë lirinë e medias dhe të fjalës. Të gjitha gjërat e lartpërmendura janë gjithashtu një bazë dhe një pjesë e një demokracie mirë funksionale dhe kjo është gjithashtu ajo që pritet nga Kosova dhe qytetarët e saj.

Indeksonline: Sipas juve, kur është mundësia reale që kosovarët mund të lëvizin pa viza në zonën Shengen?

Igor Šoltes: Unë shpresoj dhe mbështesim idenë e heqjes së vizave për Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur. Por në këtë pikë, është në anën e Kosovës që të arrijë kërkesat e vendosura nga BE, të cilat gjithashtu janë pajtuar dhe nënshkruar nga udhëheqësit e Kosovës në të kaluarën. Shpresoj që zgjidhja të gjendet së shpejti për hir të qytetarëve të Kosovës, sepse është e nevojshme.

Indeksonline: Si i komentoni deklaratat e Kryeministrit Haradinaj dhe Presidentit Thaçi, të cilët fajësojnë BE-në për vonesat në procesin e integrimit?

Igor Šoltes: Nuk mendoj se deklaratat e Kryeministrit dhe të Presidentit të Kosovës janë të justifikuara. BE po bën çmos për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj të integrimit në BE. Duhet të jemi të vetëdijshëm se të dyja palët janë përgjegjëse për të marrë përsipër përgjegjësitë dhe detyrat e tyre.

Indeksonline: Z. Soltes, a mund t’u thoni qytetarëve të Kosovës se deri në fund të vitit 2018 ata do të jenë në gjendje të lëvizin pa vizë?

Igor Šoltes: Unë shpresoj që regjimi i vizave të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Për fat të keq nuk mund të parashikojë të ardhmen, por shpresoj për zgjidhjen më të mirë dhe më të shpejtë të mundshme të kësaj çështje./Indeksonline/ /A.Bujupi/