15:10 / E Enjte, 14 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Raportuesi i KE-së për Kosovën, ambasadorët urojnë gjermanin Beyer, i cili mposhti rusin Kondratyev

Sot është mbajtur mbledhja e Komisionit për Politikë të Jashtme e Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Pika kryesore e takimit ka qenë caktimi i raportuesit për Kosovën.

Në garë kanë qenë dy kandidatë, rusi Aleksey Kondratyev dhe përfaqësuesi nga Gjermania, Peter Beyer.

Ky i fundit ka mposhtur Kondratyev në garën për raportues të Kosovës në Këshillin e Evropës, shkruan IndeksOnline. Peter Beyer fitoi me 33 vota kundrejt Kondratyev që mori 6 sosh.

Përzgjedhja e gjermanit Beyer është mirëpritur nga ambasadorët e Kosovës Beqë Cufaj dhe Mimoza Ahmetaj.

Ahmetaj përmes një ‘cicërime’ në Twitter ka uruar Peter Beyer, duke falenderuar poashtu për mbështetje “CoE” (Këshillin Evropian) dhe “PACE_News”.

“Urime për @Peter_Beyer që u zgjodhë si raportues në #Kosovë. Kosova mezi pret të bashkëpunojë me ju. Faleminderit @PACE_News @CoE për mbështetjen që i keni dhënë vlerave të vërteta demokratike.” ka shkruar Ahmetaj.

Peter Beyeri është deputet i Bundestagut gjerman nga partia e CDU-së së Angela Merkelit dhe kosovarët e mbajnë mend nga vizita e tij në Prishtinë kur tha se liberalizimi i vizave mund të vijë si dhuratë për Krishtlindje, pikërisht rreth 25 dhjetorit, datë kur ai e feston edhe ditëlindjen e tij.

Në vitin 2009, 2013 dhe 2017 ai u zgjodh deputet i Bundestagut gjerman për të përfaqësuar qytetarët e Heiligenhausit, Ratingenit, Velbertit dhe Wulfrathit.

Beyeri është një nga njerëzit që promovon dhe lobon për një marrëdhënie të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë. /IndeksOnline/