17:42 / E Mërkurë, 03 Qershor 2020 / indeksADMonline

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian dënon “presionin” ndaj deputetëve të Kosovës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, ka mirëpritur votimin e Qeverisë së re të Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Në një deklaratë për media, ajo ka thënë se shpreson që qeveria e re do të mund të zbatojë reforma të reja dhe të “punojë për një Kosovë më të mirë”.

Megjithatë, Cramon-Taubadel ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë qenë “nën presion të madh” nga udhëheqësia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidenti Hashim Thaçi për të votuar pro qeverisë së re.

“Disa burime kanë thënë se presidenti (v.j. Hashim Thaçi) ka vizituar personalisht disa deputetë të kuvendit, pa votat e të cilëve nuk do të mund të zgjidhej qeveria. Nëse këto pretendime janë të vërteta, ky është një sinjal i keq që tregon se roli i parlamentit është minuar, e që një gjë e tillë është e garantuar edhe me Kushtetutë. Si një pjesëtare e parlamentit, për mua është e papranueshme që anëtarëve të parlamentit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, t’iu bëhet presion”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se është bazë e demokracisë që deputetët të votojnë në bazë të vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku është votuar për qeverinë e re, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala ka deklaruar se ai ka ndryshuar mendimin për ta votuar qeverinë, pasi një natë më parë ka takuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë Hoti me 61 vota për derisa vota e deputetit Shala po konsiderohet vendimtare për formimin e ekzekutivit të ri.