10:53 / E Premte, 22 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Rashica po i bën “kahre” në Bundesligë, por i heshtur me Kosovën

Në dy ndeshjet vendimtare të Kosovës në kualifikimet për Euron 2020 sytë e të gjithëve ishin te Milot Rashica, ku duke e parë formën e jashtëzakonshme që po kalonte me ekipin gjerman, Werder Bremen, “Dardanët” ishin të sigurt se “rruga e shpëtimit” ishte vetëm ai, sidomos pas lëndimit të Vedat Muriqit.

As ndaj Çekisë e as ndaj Anglisë, vushtrriasi nuk tregoi as për së afërmi atë çka e tregon në Bundesligë.

Në 9 ndeshje të zhvilluara këtë sezon me Werder Bremenin, “raketa” kosovare ka realizuar 6 gola dhe ka dhuruar 3 asiste, duke qenë protagonist pothuajse në çdo ndeshje që ka luajtur, shkruan Indeksonline.

Rashica kishte asistuar apo shënuar në 4 ndeshjet e fundit radhazi ku kishte 3 gola dhe dy asiste e që jepnin shpresa se do jetë pika kyç e “Dardanëve” dhe do na dërgonte menjëherë në Euron 2020.

Por, ai ishte i heshtur me Kosovën. Madje në 6 ndeshjet e fundit të Kosovës, Rashica as nuk ka asistuar as nuk ka shënuar fare gol, duke llogaritur edhe ndeshjen me Gjibraltarin ku nuk luajti fare.

Ndeshja e fundit kur ai kishte shënuar është 10 qershori i këtij viti ndaj Bullgarisë, ku shkëlqeu dhe dhuroi edhe gol edhe asist./Indeksonline/