18:33 / E Mërkurë, 13 Nëntor 2019

Rashiq ankohet në Supreme për votat nga Serbia për të cilat akuzoi Listën Serbe se ka mbushë fletvotime false

Nenad Rashiq, ish-kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e koalicionit mes disa partive të serbëve të Kosovës, “Sloboda”, kishte akuzuar Beogradin zyrtar për manipulimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë.

Ai kishte thënë se në Serbi janë grumbulluar votat e serbëve, vetëm për Listën Serbe, të cilën qeveria e Serbisë e dirigjon.

“Në Nish grumbullohen votat e serbëve dhe bëhen fletëvotime false”, ka deklaruar Rashiq në emisionin “Pressing” në T7.

Paneli Zgjeshor për Ankesa dhe Parashtresa, pas ankesës së koalicionit Nisma-AKR-PD ka anuluar ato vota duke i konsideruar si të jashtëligjshme për mënyrën se si kanë ardhur në Kosovë.

Por, është interesante fakti se pikërisht ndaj këtij vendimi është ankuar Nenad Rashiqi në Gjykatën Supreme.

Indeksonline ka siguruar ankesën e Rashiqit e cila është dërguar në Gjykatën Supreme.

Rashiq në një deklaratë për Indeksonline ka konfirmuar ankesën e bërë në Supreme duke thënë se me këtë veprim ai po mbronë interesat afatgjata.

“Jam anku përshkak të votave të Serbisë. Por si njeri i përgjegjshem, unë e di se si ato vota ndryshuan situaten por unë me këtë ankesë po mbroj interesat afatgjata”, ka thënë Rashiq.

Rikujtojmë se Rashiq para pak dite është takuar edhe me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti. Takimi është zhvilluar në një nga restorantet e kryeqytetit dhe në të është folur për mundësinë e bashkëpunimit./Indeksonline/