75 Mall Live Search
13:32 / E Martë, 02 Dhjetor 2025 / S Z

Rashiq: Cili do që të jetë rezultati pas zgjedhjeve, Qeveria do të formohet

Në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor dhe për pjesëmarrje janë paraqitur 23 subjekte politike, prej të cilave 17 parti politike, tre koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Komunitetin serb e përfaqësojnë tre parti – Lista Serbe, Aleanca e Kosovës dhe partia “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë”.

Nenad Rashiq, nga partia politike “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë”, vlerëson se pas këtyre zgjedhjeve, cili do të jetë rezultati, Qeveria do të formohet.

Pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare të mbajtura më 9 shkurt dhe shumë përpjekjeve të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit, u shpallën zgjedhjet e parakohshme. Në pyetjen “A po i afrohet Kosova daljes nga kriza politike?”, kryetari i partisë “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë”, Nenad Rashiq, në Programin e Mëngjesit të RTK2, theksoi se “do të duhej të ishte kështu, janë humbur nëntë muaj agonie për qytetarët, të cilët në një mënyrë indirekte kanë pasur pasoja”.

“Besoj se pas këtyre zgjedhjeve nuk do të jetë kështu dhe se të paktën pak, nëse jo më shumë, do të ndryshojë raporti i forcave. Ajo që mund të vlerësoj pas njëzet vitesh përvojë është se ka ekzistuar njëfarë armiqësie mes, sidomos, partive politike shqiptare, e cila sipas mendimit tim ka qenë e pajustifikuar. Në raundin e ardhshëm, më 28 dhjetor, me gjasë do të ketë ndryshime të vogla të cilat mund të nënkuptojnë se Qeveria do të jetë më e sigurt dhe se marrëveshja do të jetë më e lehtë. Nëse jo tjetër, të gjitha partitë politike shqiptare e dinë se zvarritja ose vazhdimi i një veprimi të tillë edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të pritet me pakënaqësi nga qytetarët”, vlerësoi Rashiq.

Për shkak të shpeshtësisë së organizimit të zgjedhjeve në Kosovë, si atyre parlamentare ashtu edhe lokale, Rashiq nuk pret një dalje të madhe të votuesve:

“Me gjasë nuk do të mund të krenohemi me një pjesëmarrje të madhe të votuesve kur të vjen dita e zgjedhjeve — e kam fjalën për numrin e përgjithshëm të daljes në Kosovë — por detyra jonë tani është të lutemi që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. Mendoj se zgjedhjet e ardhshme janë më të rëndësishmet gjatë viteve të fundit”, theksoi Nenad Rashiq.