75 Mall Live Search
15:44 / E Mërkurë, 03 Shtator 2025 / P M

Rashiq: Respekt për përfaqësuesit e VV’së, Kuvendi s’është konstituuar, Gjykata del me sqarim në fund të shtatorit

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, vlerëson se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar, pavarësisht që është mbyllur seanca konstituive e legjislaturës së nëntë. Rashiq, i cili është edhe deputet në Kuvend nga komuniteti serb, thekson nevojën e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb për të përmbyllur, siç thotë, kushtetutshmërinë e zgjedhjes së trupave të Kuvendit. Ai pret që Gjykata Kushtetuese, gjatë kësaj jave, të vendosë masë të përkohshme për seancën konstituive në mënyrë që të mos rrjedhë afati për formimin e qeverisë.

Ai shpreh siguri se as presidentja Vjosa Osmani nuk do ta mandatojë kandidatin e LVV-së për kryeministër, derisa të ketë një vendimmarrje të Kushtetueses, pas ankesës së Listës Serbe.

Pas pesë muajsh dhe gjashtëdhjetë tentimesh, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb – krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit. Basha, në arsyetimin e tij, tha se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe të formohet qeveria pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Rashiq, i cili ishte edhe vet kandidat për nënkryetar, por që nuk mori 61 vota për të marrë këtë post, thotë për KosovaPress se Kuvendi nuk është konstituar dhe se duhet të krijohen rrethanat për komunitetin serb që të përfaqësohet në Kryesi të Kuvendit, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e vendit.

“Sipas meje, Kuvendi dhe Kryesia nuk janë konstituar. Kemi disa elemente aty. E para, komuniteti serb, siç e parasheh Kushtetuta, duhet të ketë një përfaqësues, një nënkryetar në Kuvend, e kjo nuk ka ndodhur. S’kemi hyrë në procesin e përzgjedhjes, andaj unë e kam ndjerë veten të obliguar të kandidohem, pasi përfaqësimi që kemi pasur më herët s’ka qenë adekuat. Kandidati i Listës Serbe s’ka prezantuar kurrë komunitetin serb. Nga këto elemente, gjithsesi duhet të krijohen kushtet që të kandidohet një anëtar që të jetë nënkryetar në Kuvend. Kjo nuk ka lidhje me Sllavko Smiqin, Listën Serbe dhe as Nenad Rashiqin, por është një përfaqësim që ka qenë prej fillimi dhe duhet të jetë edhe në të ardhmen”, thekson ai.

Pas ankesës së Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese, Rashiq thotë se pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme sipas detyrës zyrtare për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dërgojnë emrin e mandatarit për kryeministër te presidentja Vjosa Osmani.

“Pres që këto ditë deri në fund të javës të kemi një masë të përkohshme dhe pastaj deri në fund të shtatorit, po supozoj që Gjykata Kushtetuese do të dalë me një sqarim final për ta sqaruar situatën dhe të identifikojë se cilat janë parregullsitë në formën që Kryesia e Kuvendit nuk mund të vazhdojë pa pasur një prej nënkryetarëve”, deklaron Rashiq.

Duke folur për vendimmarrjen e mundshme të Gjykatës Kushtetuese për ankesën e Listës Serbe, Rashiq deklaron se një prej opsioneve mund të jetë rikthimi në pako i votimit të komuniteteve jo shumicë.

Duke folur për kandidaturën e tij për nënkryetar të Kuvendit, Rashiq thotë se nëse Kushtetuesja aprovon kërkesën e Listës Serbe dhe vendoset që votimi për nënkryetarët nga komunitetet jo shumicë të bëhet në pako, atëherë ai pajtohet me një gjë të tillë.

Pavarësisht që Grupi Parlamentar i LVV-së, partisë së parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, e ka shtyrë përpara votimin e Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit dhe bashkëpunimin në kabinetin aktual qeveritar, Rashiq thotë se Kurti dhe të tjerët e kanë gabim kur thonë se Kuvendi është konstituar pa zgjedhur edhe nënkryetarin nga komuniteti serb.

“Unë, me çdo respekt që kam ndaj përfaqësuesve të LVV-së, më duhet të tregoj se në këtë rast dhe besoj se do të dëshmohet se nuk është konstituar Kuvendi, siç është paraparë me Kushtetutë”, shton ai.

Presidentja Vjosa Osmani ka pasur një takim me kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, në fillim të kësaj jave. Pas takimit, përmes një kumtese për media nga zyra e të parës së shtetit, është thënë se ajo, bashkë me ekipin e saj ligjor, po analizojnë situatën në Kuvend që më pas të kenë një qëndrim.

Në lidhje me këtë, Rashiq shpreh bindje se presidentja Osmani nuk do të mandatojë kandidatin e LVV-së për kryeministër, mirëpo do të presë një vendimmarrje ose sugjerim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

Kundërshtime për mbylljen e seancës konstituive kanë shprehur edhe partitë e tjera parlamentare të përfaqësuara në Kuvend. Sipas PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, Kuvendi nuk është konstituar pa u zgjedhur edhe nënkryetari i legjislativit nga radhët e komunitetit serb.

Përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së në Kryesinë e Kuvendit nuk morën pjesë të hënën në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, të thirrur nga kryeparlamentari Basha.