16:47 / E Hënë, 29 Maj 2023 / AR

Rashiq: Situata në veri është delikate

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se situata në Veri është delikate.

Ai për këtë çfarë ndodhi këto ditë në atë pjesë të vendit, përmendi “disa veprime të ngutshme”, ndërsa duke e parafrazuar kryeministrin Albin Kurti, tha se pret që kryetarët e rinj të jenë në shërbim të të gjithëve.

“Sa i përket ndodhive të ditëve të fundit, unë mendoj që ka ardhur deri te disa veprime të ngutshme. E kemi një krizë regjionale, për gjëra kaq delikate duhet vëmendje e posaçme, kur flas për këtë flas për kryetarët e sapozgjedhur. Po e përsëris atë që ka thënë kryeministri, unë pres që ata të jenë në shërbim të qytetareve. Kur e them këtë dua të them që 95 % të qytetareve kanë thënë që kjo nuk është ide e mirë”, tha Rashiq në një konferencë për media.

Rashiq tha se Kurti ua mendon më të mirën qytetarëve serbë në Veri.

Duke bërë thirrje për “tolerancë dhe përmbajtje”, Rashiq tha se “tani duhet t’i ngrijmë pozicionet”.

“Të mendohet ‘outside of the box’ dhe ta gjejmë një zgjidhje ku asnjë të mos humbë, pasi askush nuk do të dalë fitues. Unë jam në dispozicion për të gjithë, qeverinë, qytetaret që brenda kapacitetit tim dhe të Ministrisë të gjejmë një zgjidhje ta kalojmë këtë problem që nuk është dashur të ndodhë”, ka thënë ai.