Rashiq tregon pse e bëri videon në gjuhën shqipe
Kandidati për kryeministër nga koalicioni i partive serbe “Liria”, Nenad Rashiq, u është drejtuar qytetarëve në gjuhën shqipe me ç’rast u ka kërkuar atyre votën për zgjedhjet e 6 tetorit.
Rashiq ka thënë se me votën për koalicionin “Liria”, qytetarët e Kosovës do të ndihmonin në “heqjen e një monstrumi politik siç është Lista Serbe”, për të cilën ai deklaroi para disa ditësh se dirigjohen nga Beogradi.
I pyetur pse e ka bërë videon në gjuhën shqipe, Rashiq ka thënë se e ka bërë që të gjithë të ndihen të lirë.
“Së pari, ne e kemi bërë video-klipin për shkak se liria është qëllim i të gjithë neve, pa marrë parasysh se a jemi serbë, shqiptarë apo turq. Kur kemi thënë ‘liria’, do të thotë liri e të folurit, liria e shprehjes, liria e veprimit politik, liria nga korrupsioni, nga kriminaliteti. Unë jam i sigurt që të gjithë qytetarët mund ta gjejnë veten në këtë. Kur e kemi bërë video-klipin, kam dëshiruar, ashtu siç zakonisht bëhen në shoqëritë demokratike, që t’u drejtohem drejtpërdrejtë qytetarëve, të cilët, siç thatë edhe ju, janë të nacionalitetit shqiptar, sepse konsideroj që ekzistojnë elemente të njëjta, të cilat i pretendojnë edhe shqiptarët, por edhe serbët. Unë kam tentuar ose po tentoj që ato elemente t’i përfshij në një forcë, e cila me siguri që ekziston dhe mund të ekzistojë në një shoqëri demokratike. Ky ka qenë qëllimi im kryesor”, ka deklaruar Rashiq për Radio Evropa e Lirë.
Kurse lidhur me reagimet nga Serbia, ai ka thënë se ka qenë i vetëdijshëm se do të vijnë ato.
“Ndërkaq, këto reagimet, të cilat kanë qenë ofenduese, më besoni që nuk janë asgjë e re. E kam ditur që kjo do të ndodhë dhe do të ketë edhe më shumë reagime të tilla tash në ditët në vijim. Por, kjo nuk do të thotë se duhet të ndaleni. Kjo tregon vetëm atë se çfarë janë ata. Ne e kemi një shprehje, e cila thotë “njeriut, me dhunë mund t’i marrësh diçka, por nuk mund t’i japësh”. Unë, thjeshtë, atyre njerëzve nuk mund t’u jap kulturë dhe edukim”, ka thënë Rashiq.