15:50 / E Mërkurë, 12 Korrik 2023 / LB

Rashit Qalaj komenton marrëveshjen e arritur për reduktimin e Policisë në veri

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se kryeministri Albin Kurti e askush tjetër nuk ka të drejtë që të cenojë kapacitetet operacionale të Policisë së Kosovës në gjithë vendin.

Qalaj i tha Ekonomia Online se shpreson që marrëveshja e arritur në Bratislavë për shtensionimin e situatës në veri, ka të bëjë vetëm me prezencën fizike të Policisë rreth objekteve të komunave e jo edhe me operacionet.

Ish-drejtori pohon se Policia leje merr vetëm kur ka ndonjë urdhër të Gjykatës për zbatim, duke shtuar se gjithë këto veprime kanë qenë të panevojshme dhe se Kurti u dorëzuar përballë bandave kriminale.

“Nuk guxon askush, e as kryeministri Kurti e as Qeveria, e askush tjetër në këtë vend që t’ia cenojnë kapacitet operacioanel të Policisë së Kosovës në gjithë vendin. Askush nuk ka të drejtë që t’ia kufizojë lirinë e lëvizjes dhe lirinë e veprimit në zbatimin e ligjit Policisë së Kosovës edhe në komunat veriore, shpresoj që kjo pjesë e marrëveshjes ka të bëjmë vetëm me çështjen e komunës së Lepsaviqit e jo me operacionet”.

“Policia leje merr vetëm kur ka ndonjë urdhër të Gjykatës për zbatim, përndryshe urdhërua operacionale i ka të përcaktuar me ligjin. As kjo Qeveri e askush nuk ka të drejtë që të bëjë asnjë marrëveshje që do ta detyrë Policinë e Kosovës që për punët e saj të marrë leje apo të diskutojë. U dorëzua Qeveria Kurti përballë grupeve kriminel atje edhe përballë masave, gjitha këto veprime kanë qenë të panevojshme”.

“Fillimisht duhet të them që çdo marrëveshje që ka për qëllim që situata në veri të qetësohet sadopak besoj që është marrëveshje e mirë, edhe pse kjo që është arritur besoj që është e vonuar, ngase e tërë kjo situatë në veri është krijuar pa nevojë dhe kemi pas situatës të ndryshëm të rrezikshme ku ka mundur fare lehtë që të humbin jeta njerëzish në pjesën veriore. Marrëveshja që është arritur e që ka të bëjë me Policinë është që zvogëlimi i kapaciteteve të Policisë rreth komunave të jetë 25% mirëpo me sa unë e kam kuptuar marrëveshja nuk ka të bëjë me punën operacionale të Policisë, por vetëm me çështjen te komunat ku janë të vendosur Njësit Speciale”.

Marrëveshja parasheh reduktimin e menjëhershëm të 1/4 të policëve që gjenden brenda ndërtesave komunale apo në afërsi të tyre. Pra, 25% e policëve do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna dhe do të vazhdojnë detyrën atje ku ka më shumë nevojë për ta, meqenëse konsiderojmë se pranë ndërtesave komunale situata tash e dy javë është krahasimisht shumë më e qetë.

Si dhe Policia e Kosovës, në varësi të rrethanave, bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in do ta vlerësojnë gjendjen e sigurisë, me synimin që eventualisht të shihen mundësitë për zvogëlim të mëtejshëm të pranisë policore në ndërtesat komunale apo në afërsi të tyre. Kjo ishte kërkesë e jona që nga fillimi, duke qenë se sundimin e ligjit dhe qetësinë e sigurinë, i shohim si interes i përbashkët i të gjitha palëve.