13:16 / E Premte, 15 Janar 2021 / k.v

Rashit Qalajt nuk i pranohet dorëheqja nga Policia e Kosovës

Ish- drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, dje ka aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës, duke dhënë dorëheqjen nga policia.

Por, dorëheqja e tij nuk po pranohet, sepse ajo nuk është përputhje me procedurat standarde të operimit të cilat parashohin që punonjësi i policisë në rastet kur jep dorëheqjen vullnetare duhet që dorëheqjen ta paraqesë një muaj përpara.

Burimet e IndeksOnlinet thonë se nënkolonel Rashit Qalaj është urdhëruar të paraqitet në detyrë, në të kundërtën do të iniciohet procedurë disiplinore ndaj tij.

Qalaj në konferencën e djeshme të PDK-së ka thënë se do të jetë anëtar i PDK-së. 

“Në këtë parti kam shumë shokë shumë miq që kanë kontribuar në etapa të ndryshme për çlirimin e vendit. E kam pasur të vështirë të jepja dorëheqjen nga policia, ka qenë vendim emocional”, tha ai.

Rashit Qalaj është shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, më 16 tetor të vitit 2020.

Qalaj ishte emëruar në krye të Policisë së Kosovës, më 28 gusht të vitit 2018./IndeksOnline/