75 Mall Live Search
17:22 / E Enjte, 05 Shkurt 2026 / Z S

“Rast që rrezikoi jetën e qytetarëve në Prishtinë”, policia arrston një person dhe interviston disa të tjerë!

Më datën 31 janar rreth orës 15:15 minuta Policia e Kosovës ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë.

Lidhur më këtë hetimet fillestare kanë nxjerrë në pah se, pas një konflikti ndërmjet dy grupeve personash, situata ka eskaluar me përdorim armësh zjarri pranë një lokali afarist, duke krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe pronën publike.

Po ashtu është bërë e ditur se pas këtij incidenti, konflikti ka vazhduar në një lokacion tjetër të qytetit, ku një veturë është përdorur si mjet rrezikimi ndaj personave, duke u shkaktuar lëndime trupore disa qytetarëve, ndërsa dyshohet edhe për të shtëna me armë zjarri nga vetura në lëvizje.

Njësitë policore kanë reaguar menjëherë, kanë dalë në vendngjarje dhe kanë kryer ekzaminime të plota kriminalistike dhe forenzike, me ç’ rast janë sekuestruar:

· gëzhoja dhe fragmente predhash,

· municion,

· mjete të forta, si dhe,

· vetura e dyshuar e përfshirë në rast.

Të gjitha veprimet operative dhe hetimore janë zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, ndërkohë që është iniciuar hetim në drejtim të veprave penale:

· Vrasje në tentativë,

· Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm,

· Mbajtja e paautorizuar e armëve.

Po ashtu si rezultat i punës intensive hetimore

· Janë identifikuar dhe intervistuar të gjithë personat relevantë të përfshirë në rast.

· Janë siguruar video-incizime nga kamerat e sigurisë dhe prova të tjera materiale.

· Janë realizuar tri bastisje në lokacione të ndryshme.

· Janë konfiskuar dy armë zjarri dhe prova shtesë me rëndësi për procedurën penale.

Si përfundim janë identifikuar gjithsej pesë persona të dyshuar; njëri prej tyre, me iniciale A.T., është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa katër persona të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt./Indeksonline/