75 Mall Live Search
22:29 / E Mërkurë, 11 Mars 2026 / S Z

Rastet e kancerit të gjirit mund të arrijnë 3.5 milionë deri në vitin 2050

Numri i rasteve të kancerit të gjirit pritet të rritet ndjeshëm në mbarë botën gjatë dekadave të ardhshme.

Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore “The Lancet Oncology”, deri në vitin 2050 rastet mund të arrijnë në rreth 3.5 milionë në vit, rreth një e treta më shumë se në vitin 2023. Në të njëjtën kohë, vdekjet nga kjo sëmundje parashikohet të rriten me 44 për qind, duke arritur në rreth 1.4 milionë në vit.

Studiuesit e lidhin këtë rritje kryesisht me plakjen e popullsisë dhe rritjen e numrit të banorëve në botë. Aktualisht, kanceri i gjirit është forma më e zakonshme e kancerit tek gratë, duke përbërë rreth një në katër diagnoza të reja të kancerit në vitin 2023, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.

Megjithëse përparimet në parandalim, diagnostikim dhe trajtim kanë ulur shkallën e vdekshmërisë, kjo sëmundje vazhdon të ketë ndikim të madh në shëndetin e grave.

Në vitin 2023 u regjistruan rreth 2.3 milionë raste të reja dhe mbi 764 mijë vdekje, ndërsa miliona vite të jetës së shëndetshme humben për shkak të sëmundjes ose paaftësisë që ajo shkakton.

Studimi tregon gjithashtu se ndryshimet në stilin e jetesës dhe faktorët biologjikë kanë ndikuar në rritjen e rrezikut. Obeziteti, puberteti i hershëm, lindja e vonshme e fëmijëve dhe menopauza e vonshme janë disa nga faktorët që rrisin mundësinë e zhvillimit të kancerit të gjirit.

Faktorë të tjerë përfshijnë konsumin e lartë të mishit të kuq, duhanin, nivelin e lartë të sheqerit në gjak, përdorimin e alkoolit dhe mungesën e aktivitetit fizik.

Sipas studiuesve, më shumë se një e katërta e barrës globale të kancerit të gjirit lidhet me faktorë të modifikueshëm të stilit të jetesës.

Ndërsa vendet me të ardhura të larta kanë ulur vdekshmërinë falë zbulimit të hershëm dhe trajtimit më të mirë, vendet me të ardhura më të ulëta po përballen gjithnjë e më shumë me rritjen e rasteve dhe diagnoza më të vonshme të sëmundjes. /