75 Mall Live Search
21:01 / E Diele, 01 Qershor 2025 / FR

Rastet e shënjestruara “kushti për vizat”, sipas monitoruesve veç publicitet pa rezultate

Dy kushtet kryesore të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave të Kosovës ishin demarkacioni me Malin e Zi dhe shënjestrimi i rasteve sidomos të korrupsionit e krimit të organizuar nga organet e drejtësisë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, më 30 dhjetor 2015 kishte nxjerrë vendim me të cilin obligonte kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët e çështjeve që të gjitha rastet që vijnë nga prokuroria dhe kanë shenjën “LV” sinonim i Liberalizim i Vizave, të trajtohen me prioritet absolut.

Edhe pse tashmë liberalizimi ka ndodhur, shënjestrimi i rasteve vazhdon të bëhet, më i freskëti ishte ai i koduar si “MATI 1” ku u sekuestruan pasuri afro 7 milionë euro.

Në një përgjigje të Prokurorisë Speciale për televizionin tregohen se sa raste janë të shënjestruar dhe numrin e personave të akuzuar.

“Deri tash, aktualisht gjithsej janë 98 raste të shënjestruar. Mund të konfirmojmë se në kuadër të këtyre rasteve janë të përfshirë 896 persona. Ndërsa nga 98 rastet, në 85 raste janë ngritur aktakuza. Nga këto raste, 44 i përkasin natyrës së veprës penale të korrupsionit (janë të përfshirë 354 persona ), ndërsa 41 raste me aktakuza i përkasin natyrës së Krimit të Organizuar (janë të përfshire 464 persona)”, thuhet nga Prokuroria.

Nga PRSK thanë se 40 raste kanë marrë formën e prerë të vendimit por nuk treguan numrin se sa persona janë dënuar e sa tw liruar.

Labinot Leposhtica nga BIRN thotë që rastet e shënjestruara nuk patën ndonjë efekt në sistemin e drejtësisë.

“Deri më sot, nga fillimi i këtij procesi diku rreth vitit 2015 e deri më sot nuk kemi pasur asnjë rezultat konkrekt, madje edhe te rastet e shënjestrume kemi pas në shumicën e tyne lirim të të akuzuarve, kemi pas lirim të aseteve të sekuestruara me vendim përfundimtar, pra nuk kemi pas konfiskim, astet u janë kthyer personave të dyshuar, kemi pas neglizhencë të rasteve, parashkrim të rasteve, dhe nuk kemi pas rezultatin që është synu”, ka theksuar Labinot Leposhtica, BIRN.

Vlerësimin që një rast të jetë i shënjestruar e bënë një trup koordinues që është i udhëhequr nga një koordinator, që propozon shënjestrimin e rasteve dhe pastaj sistemi i drejtësisë si gjykatat dhe prokuroria marrin një obligim për trajtim me më prioritet të rastit.

“Prokuroria Speciale ka akte të brendshme tek të cilat besoj që vlerëson se një rasti i tillë hyn në kuadër të rasteve të tilla, dhe është mekanizëm që udhëhiqet prej kryeprokurorit të prokurorisë speciale në të cilin hynë edhe organet e tjera të zbatimit të ligjit”, ka deklaruar Ardian Bajraktari, Avokat.

Lidhur me rastet e shënjestruara janë publikuar edhe raporte siç është ky i Institutit të Kosovës për Drejtësi në mars të 2020-s e që flet gjithashtu për një jo efikasitet deri në atë periudhë.

Sipas raportit, thuhet që në 19 raste me gjykim përfundimtar, ku ishin 58 persona të akuzuar, vetëm 18 ishin dënuar, ku prej tyre 5 me gjobë e 13 me burg.

Nga 19 rastet e gjykuara me aktgjykim përfundimtar, ku janë përfshirë 58 persona të akuzuar, 40 persona apo 69% të tyre, janë liruar nga gjykatat, ndërsa 18 persona apo 31% të tyre, janë dënuar. Politika e dënimeve ndaj këtyre 18 personave nuk është adekuate dhe përmes saj nuk arrihet qëllimi i dënimit. 13 prej të akuzuarve janë dënuar me burgim efektiv, ndërsa pesë (5) të akuzuar janë dënuar me gjobë.

Në këtë formë ishin hetuar edhe rastet e profilit të lartë siç janë rasteve  rastet e koduara si “Feronikeli dhe “Stenta”, raste të cilat ishin kthyer në rigjykim nga Apeli pas vendimit të shkallës së parë./RTVDukagjini/