75 Mall Live Search
10:42 / E Diele, 10 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Rastet me Hepatit në Kosovë, jo të gjithë punëtorët shëndetësor marrin vaksina kundër saj!

Rastet me Hepatit nuk janë të rralla në Kosovë, ani pse nuk ka shifra zyrtare, e si rrjedhojë shumë pacientë marrin terapi në Qendrën Klinike Universitare. Kurse, vaksinimi si mjet preventiv për këtë sëmundje është një zgjidhje shumë e mirë për evitimin e saj.

Kështu ka deklaruar edhe Drejtori i Klinikës Infektive brenda Qendrës Klinike Universitare, Hamdi Ramadani në një prononcim për Indeksonline, por sipas të cilit nuk ekziston vetëdije e plotë për këtë sëmundje.

“Besojë që nuk është në nivelin e duhur njoftimi i popullatës kundër parandalimit të këtij infeksioni, duhet ende punë ekipore, programe promovimi, etje në nivelin primar, sekondat dhe terciar të shëndetësisë”

Ramadani ka theksuar se jo të gjithë punëtorët shëndetësor janë të testuar nëse e kanë këtë lloj sëmundje, ani pse janë të vetëdijshëm që mund të bëhet një analizë e tillë.

“Në përgjithësi janë të gjithë stafi i punëtorëve të njoftuar për një analiza të tillë, por jo të gjithë janë të testuar në këtë fushë infekcioze” është shprehur Ramadani.

Kurse, zyrtarët në Ministrinë e Shëndetësisë konsiderojnë se vaksina kundër hepatitit nuk është e detyrueshme, por mund të merret si preventiv me dëshirën personale të personit.

“Vaksina kundër hepatitit është si masë preventive, e marrin ata që e vlerësojnë se mund të ndjehen t rrezikuar nga puna e tyre me pacientë” janë shprehur zyrtar nga kjo Ministri.

Por, sipas tyre disa kategori të punëtorëve shëndetësor duhet të marrin vaksinën, ani pse ka të tjerë profesionist shëndetësor që nuk e ndjejnë vetën të rrezikuar nga kjo sëmundje.

“Kryesisht punëtorët e Infektives, Transfuzionit të gjakut dhe disa shërbimeve tjera. Por ka edhe të atillë që se shohin vetën të rrezikuar drejtpërdrejt dhe nuk e marrin, pra është vlerësim i vet profesionalistëve shëndetësor” janë shprehur zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë për Indeksonline.

Po ashtu, zyrtarët nga MSH theksojnë se tashmë fëmijët marrin vaksinat kundër hepatit në kuadër të kalendarit të vaksinimit.

“Studentët si fëmijë vaksinohen kundër hepatitit në kuadër të kalendarit të vaksinimit të obliguar me ligj” thuhet në përgjigje.

Në anën tjetër, sa i përket barnave për trajtimin e të sëmurëve me hepatit, drejtori i Klinikës Infektive ka deklaruar se janë të furnizuar ani pse shumë shpejt pritet të marrin edhe terapinë për trajtimin e Hepatitit C.

“Kryesisht ne disponojmë me terapi përkatëse për këtë patologji, por pritet shpejt dhe terapia më e re për trajtimin e Hepatiti C” është shprehur Ramadani.

Por, në Ministrinë e Shëndetësisë deklarojnë se furnizimi është bërë me kohë dhe pritet të ketë furnizim stabil gjatë tërë vitit.

“Produkti Tenofovir, me të cilin trajtohet hepatitis dhe me të cilën furnizohet Kujdesi Dytësor (7 spitalet e përgjithshme) dhe Tretësor (Qendra Klinike Universitare e Kosovës) është liferuar nga ana e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore konform Planifikimit të bërë nga ShSKUK-së për periudhën TM1-2019, që nënkupton muajt Janar, Shkurt dhe mars 2019. Siç shihet pra, furnizimi me këtë produkt ka filluar me kohë dhe MSh dhe FSSH presin që furnizimi të jetë stabil përgjatë gjithë vitit, duke u bazuar në planifikimet që i kanë bërë institucionet shëndetësore” thuhet në përgjigje.

Hepatiti B është një sëmundje infektive inflamatore e mëlçisë e shkaktuar nga virusi i hepatitit B (VHB). Ky virus është i përhapur pothuajse në gjithë botën, duke shkaktuar epidemi në një pjesë të Azisë dhe Afrikës.

Kurse, në Kosovë ndonëse nuk ka statistika të sakta, profesionistë shëndetësorë thonë se janë rreth 50 njerëz që në vit preken me hepatitin A, B dhe C. Prej tyre, më të rrezikshëm konsiderohen ai B dhe C, kurse më pak hepatit A./Indeksonline/