75 Mall Live Search
16:01 / E Mërkurë, 15 Janar 2020 / indeksADMonline

Rasti Badovci, MMPH dhe Komuna e Prishtinës akuzojnë njëra-tjetrën

Ndërtimet në Liqenin e Badovcit, vështirë se mund të ndodhin, kjo pasi që Ministria e Mjedisit dhe Komuna  e Prishtinës ende nuk i kanë ndarë kompetencat e tyre për këtë rast, shkruan IndeksOnline.

Komuna e Prishtinës dje përmes një komunikate, tha se lidhur me ndërtimet në Badovc, ajo nuk i ka dhënë leje për kushte ndërtimore kompanisë “Kaëa”, pasi që sipas tyre fillimisht kushtet  nuk ishin plotësuar sipas vendimit të qeverisë për ujërat.

Pas ankesës së palëve, Komuna i kishte dhënë një mundësi kompanisë në fjalë, duke u dakorduar që këta të fundit të kërkojnë pëlqimin dhe lejen mjedisore nga Ministria e Mjedisit.

Për një leje të tillë, kompania “Kaëa” nuk ka aplikur, por edhe nga MMPH-ja ditë më parë kanë thënë se ky institucion nuk lëshon leje dhe pëlqime mjedisore.

Derisa nga Komuna përmes komunikatës pohojnë se MMPH-ja është kompetente për të lëshuar leje të tilla.

Sot përmes një sqarimi, nga MMPH-ja theksuan se Komuna e Prishtinës duhet të veprojë në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e ujërave.

Sqarimi i plotë:

MMPH rreth vendimit nr. A-242/18, dt.16.08.2018 dhe A-76/19dt.27.06.2019 të lëshuar, lidhur me Ndërtimet afër Liqenit të Badovcit sqaron opinionin se:

Në asnjë mënyrë MMPH në Vendimin e evidentuar për shqyrtimin e çështjes administrative juridike sipas të ankimuarit, nuk ka obliguar Komunën e Prishtinës, të veproj në kundërshtim me dispozitat ligjore të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, por përkundrazi, bazuar në këto Vendime, MMPH ka obliguar Komunën e Prishtinës që të veprojë sipas:

Planit Zhvillimor Komunal i cili është në fuqi;

Vendimit të Qeverise se Kosovës Nr. 16/127 dt. 24 02 2013 i për Përcaktimin e Zonave Mbrojtëse te burimit Ujor përreth Liqenit të Badofcit;

Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim dhe

Udhëzimit Administrativ MMPH 06/2017 Për Përcaktimin e Procedurave për Përgatitjen dhe Shqyrtimin e Kërkesave për Kushtet Ndërtimore dhe Lejen Ndërtimore dhe Leje rrënimi për Kategorinë e I dhe te II të ndërtimeve.

Këto dispozita ligjore përcaktojnë kriteret dhe mënyrën e shqyrtimit të kushteve ndërtimore me ç ‘rast Komuna ka qenë e obliguar që të veproj sipas dispozitave ligjore në fuqi si:

Vendimit të Qeverise së Kosovës Nr.16/127 dt. 24 02 2013 i për Përcaktimin e Zonave  Mbrojtëse të Burimit Ujor përreth Liqenit të Badofcit (nenit 7 dhe nenit 13 pika 8 dhe 9).

Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim dhe Udhëzimit Administrativ MMPH 06/2017 Për Përcaktimin e Procedurave për përgatitjen dhe shqyrtimin e kërkesave për kushtet ndërtimore dhe lejen ndërtimore dhe leje rrënimi për Kategorinë e I dhe të II të ndërtimeve (nenit 11 paragrafi 1 shtojca 1 pika 6b).

Për më tepër MMPH gjegjësisht ministri Matoshi me datë 13.01.2020 i dërgon shkresë komunës së Prishtinës përkatësisht Kërkesë për informim (Nr.110/20) lidhur me rastin në fjale me të cilën kërkon sqarim rreth shqetësimit të qytetareve dhe mediave lidhur me iniciativën e projektit i cili synon ndërtimin afër liqenit të Badovcit nga investitorët KAËA GROUP, 4M Group si dhe një pronari privat. Komuna akoma nuk ka kthyer përgjigje, andaj MMPH-ja sot ka angazhuar inspektoret e saj të vizitojnë Komunën e Prishtinës dhe të verifikojnë dokumentet e lëshuara lidhur me rastin në fjalë dhe t’ju bëjnë me dije se në çfarëdo rasti të kenë shkelje eventuale, do të ndermirën masa meritore. /IndeksOnline/