Rasti “Banjska”, pritet së shpejti aktgjykimi
Procesi gjyqësor në rastin “Banjska”, ndodhet në fazën përfundimtare dhe shpejt pritet shpallja e aktgjykimit.
Mbi dhjetë dëshmitarë janë ftuar në gjykatore për dëshmi gjatë vitit të kaluar, përfshirë edhe zyrtarë policorë të cilët ishin pjesë e njësisë që u sulmua nga terroristë serbë.
Në mesin e tyre ka qenë edhe Alban Rashiti, të cilin e mbron avokati Naim Rudari. Ky i fundit për KosovaPress, thotë se ky proces mbetet sfidë, meqë nuk është aplikuar gjykimi në mungesë.
Megjithatë, ai thotë se ka prova të mjaftueshme që të arrestuarit të dënohen me burgim të përjetshëm.
Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023 Policia e Kosovës u ballafaqua me sulm terrorist.
Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator ka ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit.
Sipas aktakuzës, ata kanë kryer veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpërlarje të parasë.
Në këtë rast po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Që të tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat para gjykatës.
Avokati Naim Rudari thotë se ka parashtruar kallëzim penal ndaj dy dëshmitarëve, që sipas tij, kanë dëshmuar rrejshëm dhe pronarit e drejtorit të “Rajnska Banja”. Ky hotel ndodhet në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi.
Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.
Avokati Naim Rudari thotë se tani pritet fillimi i dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtjes.
Ai pret që shpejt të shpallet aktgjykimi dhe të dënohen me burgim të përjetshëm të akuzuarit.
KosovaPress ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me këtë rast, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.
Terroristët serbë prapa vetës lanë shumë dëshmi e gjurmë, përfshirë video-incizime të dronëve, komunikime të telefonave mes anëtarëve të grupit terrorist, kamera të sigurisë, fotografi e qindra dokumente.
Edhe Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se ka mjaftueshëm prova dhe se gjatë këtij viti pritet epilogu i shkallës së parë.
Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë.
Një ditë pasi kishte përfunduar operacioni, policia kishte ekspozuar krejt çfarë kishte gjetur në Banjskë, përfshirë artileri të rënda, automjete të blinduara, makina si të KFOR-it gjerman, granat-hedhës, radio-marrës dhe simbole nacionaliste të përdorura nga serbët.

