Rasti ”Banjska”, të akuzuarit dalin para gjykatës

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot do të mbahet seanca e radhës në rasti “Banjska”.
Në seancën e fundit më 17 prill tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.
Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radojçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radojçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkonte Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Kurse, kreu i këtij grupit terrorist të strukturuar, Milan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpërarja e parave”./Indeksonline/