Rasti “Banjska”/ Të akuzuarit sillen të prangosur në gjykatë (Pamje)

Në ambientet e Gjykatës Themelore të Prishtinës ka nisur sot seanca e radhës gjyqësore për rastin e njohur si “Banjska”, që lidhet me sulmin terrorist të shtatorit të vitit të kaluar në veri të Kosovës.
Përpara trupit gjykues, sot do të deklarojë zyrtari policor, Mirsad Kryeziu, që ishte i pranë rreshterit Bunjaku, në momentet kritike të sulmit, transmeton IndeksOnline.
Në seancën e kaluar, të mbajtur të hënën, kanë dëshmuar dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri, të cilët ishin lënduar gjatë sulmit terrorist që rezultoi me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
Në bankën e të akuzuarve sot ndodhen Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, tre nga gjithsej 45 të akuzuarit për këtë rast, që akuzohen për vepra terroriste në organizim të kriminelit serb Milan Radojçiq.
Të tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm, duke mos e pranuar përgjegjësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen.
Rasti “Banjska” ka tronditur opinionin vendor e ndërkombëtar për shkak të natyrës së sulmit të armatosur kundër institucioneve të sigurisë së Kosovës. Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe prezantimin e provave të tjera nga prokuroria./IndeksOnline/
