Rasti “Banjska”, trupi gjykues mbyll për publikun seancën me dëshmitarin anonim F1

Trupi gjykues në rastin “Banjska” vendosi që seanca e sotme të zhvillohet e mbyllur për publikun dhe mediat, pasi gjatë saj do të dëgjohet një dëshmitar anonim me masa të veçanta sigurie.
Prokurori i shtetit, Naim Abazi, kërkoi që dëshmia e dëshmitarit F1 të jepet pa praninë e publikut dhe mediave, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së identitetit të tij të fshehur.
“Kam një kërkesë: sot do të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit F1, prandaj paraqes kërkesë për mbylljen e kësaj seance për publikun, që kjo mbyllje të jetë gjatë dëshmisë së dëshmitarit, i cili është dëshmitar anonim. Mbyllja e kësaj seance është e domosdoshme, pasi që përjashtimi i individëve të caktuar nga salla nuk do të mjaftonte për të garantuar mbrojtjen e kërkuar. Dëshmitari është nën masa të veçanta të sigurisë dhe ruajtja e anonimitetit të tij është kusht themelor për paraqitjen e tij të lirë dhe dëshmisë që do të japë. Prandaj kërkoj që kjo të zhvillohet në mënyrë të mbyllur, pa praninë e mediave, publikut, që të garantohet mbrojtja e këtij dëshmitari. Gjatë dëshmisë së tij mund të zbulojë ndonjë rrethanë”, tha prokurori Abazi.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se gjykata ka marrë masa që dëshmia të jepet përmes një dhome teknike për të mbrojtur identitetin e dëshmitarit.
“Duke u bazuar në cilësinë e dëshmitarit që është anonim, kemi marrë të gjitha masat për të mos u zbuluar. Dëshminë do ta japë nga dhoma teknike me video, ku nuk do të mund të shihet figura e tij. Këtu konsiston zbulimi i identitetit të tij”, tha gjykatësi Hoti.
Por, avokati i palës mbrojtëse, Lubomir Pantoviq, e kundërshtoi këtë kërkesë, duke theksuar se ekzistojnë mundësi teknike për të mbrojtur identitetin edhe në një seancë të hapur.
“Pasi ekziston mundësi teknike që ky dëshmitar të dëshmojë nëpërmjet videolidhjes me ndryshimin e fotografisë dhe zërit, unë e kundërshtoj këtë propozim të Prokurorisë Speciale. Sa i përket çështjes së pyetjeve dhe përgjigjeve të këtij dëshmitari, të cilat eventualisht mund të zbulojnë identitetin e tij, këtu është trupi gjykues, i cili do të bëjë kontroll të pyetjeve dhe t’i ndalojë. Për këtë arsye e kundërshtoj”, tha avokati Pantoviq.
Në fund, trupi gjykues vendosi ta pranojë kërkesën e prokurorisë për zhvillimin e seancës me dëshmitarin F1 pa praninë e publikut dhe mediave.
“Pas propozimit të prokurorisë, merr aktvendim: aprovohet propozimi i prokurorisë që në rastin e dëgjimit të dëshmitarit F1 të përjashtohen publiku dhe mediat, pasi masat e marra nga gjykata si dhe ndryshimet e figurës dhe zërit të këtij dëshmitari, nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur qëllimin. Pasi bazuar në rrethanat e rastit, për të cilat do të dëshmojë, dëshmitari ka gjasa që të zbulohet identiteti i tij”, thuhet në vendimin e trupit gjykues.