75 Mall Live Search
10:17 / E Mërkurë, 14 Shkurt 2024 / L K

Rasti i 400 kilogramëve kokainë në kamionin në Lipjan, ngrihet edhe një aktakuzë tjetër ndaj pesë të dyshuarve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca gjyqësore ndaj të dyshuarve për rastin e 400 kilogramëve kokainë që u gjeten në Lipjan gati tre vite më parë.

Pesë nga të dyshuarit për këtë rast, I.Z, F.V, K.SH, K.B, dhe F.B, janë paraqitur përpara trupit gjykues të udhëhequr nga gjyqtari Musa Konxheli.

Në seancën e sotme është bërë shqyrtimi ligjor i aktakuzës teksa është shtuar edhe një aktakuzë ndaj pesë të dyshuarve që janë prezent në seancë.

Bëhet fjalë për aktakuzën për veprën penale “Mbajtja në pronësi dhe posedim i paautorizuar i armës”, raporton Indeksonline.

Prokurori i rastit ka paraqitur dëshmitë e reja për këtë aktakuzë të shtuar, duke propozuar që vepra penale në fjalë t’u shtohet veprave paraprake, duke bërë bashkim të procedurës penale.

Ky propozim nuk është kundërshtuar nga avokati i njërit prej të dyshuarve, por një avokat tjetër ka thënë se klienti i tij, I.SH nuk ka qenë i vullnetshëm për t’u bërë pjesë e kësaj vepre dhe se mund të ketë pasoja për të.

Edhe avokati i të dyshuarit F.B ka kundërshtuar këtë aktakuzë të re, duke deklaruar se janë bërë hapa mbrapa në këtë proces dhe se deri më tani është humbur kohë kot.

Në nëntor të vitit 2022, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë pikërisht mbi këtë rast.

“Është ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me iniciale I.SH, F.V, K.SH, K.B, F.B, H.SH, N.M. për shkak se të njëjtit kanë kryer veprat penale ‘’Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’, lidhur me veprën penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, ‘’Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare si dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Dy nga të dyshuarit kanë pranuar fajësinë në seancat paraprake.

Në maj të vitit 2021, 400 kilogramë kokainë u gjeten në një kamion në Lipjan, i cili dyshohet të ketë pasur Gjermaninë si destinacion.

Operacioni për kapjen e kësaj sasie të drogës u zhvillua nga autoritetet përkatëse të Kosovës, Shqipërisë dhe Italisë.

Trupi gjykues vlerësoi se në këtë fazë nuk mund të bëhet bashkimi i procedurës.

Sipas gjyqtarit Konxheli, tani për tani nuk mund të vendoset për bashkim, meqë aktakuzat e ngritura më herët janë në tjera faza të shqyrtimit.

Aktakuza që u ngrit sot nga ana e Prokurorisë do të mbahet në një seancë tjetër fillestare./Indeksonline/