Rasti i Agon Zejnullahut, avokati Besnik Berisha: Liria për pesë policët është më e pakta që meritojnë

Avokati i njohur, Besnik Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit për mbajtjen në paraburgim të pesë zyrtarëve policorë, duke e cilësuar situatën si një padrejtësi që po zëvendëson drejtësinë e mirëfilltë.
“Nuk po flasim për prova që dëshmojnë krim – por për një ‘klimë tensioni’ me palën tjetër. Kjo nuk është drejtësi, është frikë e veshur me petkun e ligjit”, shkruan Berisha në Facebook.
Ai thekson se rasti i Agon Zejnullahut, që ka prekur thellë opinionin publik, meriton një hetim të plotë dhe transparent, e jo masa simbolike që, sipas tij, kanë për qëllim vetëm qetësimin e përkohshëm të reagimeve publike.
“Sot janë pesë. Nesër mund të jetë cilido që vesh uniformën dhe mban përgjegjësi. Drejtësia nuk është privilegj, është themel i shoqërisë së lirë”, shton avokati.
Berisha përfundon thirrjen e tij me një apel të qartë: “Liria për pesë policët është më e pakta që meritojnë. Veproni!”./Indeksonline/