Rasti i dhunës te shkolla “Pavarësia”, Shahini: Pasojë e një dështimi të gjerë institucional
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini ka reaguar pas rastit të djeshëm të dhunës që ndodhi në shkollën “Pavarësia” ku një mësimdhënës rrahu një nxënës.
Ai në një postim në Facebook shkruan se dhuna në shkolla është e papranueshme dhe nuk do të relativizohet në asnjë rrethanë.
Shahini thekson se drejtorët e shkollave dhe drejtoritë komunale të Arsimit po ngarkohen me përgjegjësi që nuk u takojnë dhe që tejkalojnë çdo kapacitet real.
Postimi i plotë:
Nga pozicioni si drejtor për arsim në kryeqytet, e dënoj fuqishëm rastin e ndodhur dje në shkollën fillore “Pavarësia”. Dhuna në shkolla është e papranueshme dhe nuk do të relativizohet në asnjë rrethanë. Institucionet e sigurisë tashmë e kanë rastin në trajtim dhe presim veprim të shpejtë dhe të plotë nga organet e drejtësisë.
Ky rast, megjithatë, nuk është i izoluar. Ai është pasojë e drejtpërdrejtë e një dështimi të gjerë institucional. Prej vitesh, shkollat po lihen të vetme përballë problemeve të rënda sociale, pa mbështetje reale dhe pa kapacitete minimale për ndërhyrje. Sot, mësimdhënësi dhe nxënësi janë të pambrojtur, ndërsa shkolla po trajtohet padrejtësisht si institucioni që duhet të përthithë çdo dështim tjetër të shtetit.
Drejtorët e shkollave dhe drejtoritë komunale të Arsimit po ngarkohen me përgjegjësi që nuk u takojnë dhe që tejkalojnë çdo kapacitet real. Pa psikologë të mjaftueshëm, pa punëtorë socialë, pa mekanizma mbrojtës dhe pa mbështetje institucionale, nga shkolla pritet të menaxhojë dhunën, delikuencën, varësitë dhe krizat familjare. Kjo qasje është e padrejtë dhe e rrezikshme.
Ministria e Arsimit mban përgjegjësi direkte për këtë gjendje. Në vend të veprimeve serioze, ajo vazhdon të prodhojë udhëzime administrative të shkëputura nga realiteti në terren, të cilat vetëm e rëndojnë punën e shkollave dhe e lënë sistemin edhe më të ekspozuar. Kjo nuk është reformë – është shmangie e përgjegjësisë.
Në këtë zinxhir dështimesh, edhe mediet kanë përgjegjësi. Sensacionalizimi, gjykimi i menjëhershëm dhe etiketimi i shkollave e i mësimdhënësve, pa fakte dhe pa kontekst, nuk ndihmon askënd. Mediet duhet të informojnë me përgjegjësi, jo të thellojnë panikun dhe të kërkojnë fajtorin më të lehtë.
Si drejtor i Arsimit, refuzoj që shkollat dhe drejtoritë komunale të Arsimit të trajtohen si shkarkues i dështimeve strukturore të nivelit qendror, të shërbimeve sociale dhe të institucioneve të tjera shtetërore. Ne nuk kemi as kompetenca, as mjete dhe as staf të mjaftueshëm për të zëvendësuar hallkat që mungojnë.
Qëndroj fuqishëm pranë shkollave, mësimdhënësve, nxënësve dhe drejtorëve që po punojnë nën presion të jashtëzakonshëm dhe shpesh pa mbrojtje minimale institucionale.
Kërkoj veprim urgjent, të koordinuar dhe të matshëm nga të gjitha hallkat – përfshirë Ministrinë e Arsimit, shërbimet sociale, organet e sigurisë, prindërit dhe mediet. Jo deklarata formale, jo burokraci, jo heshtje, por veprim./Indeksonline/

