75 Mall Live Search
18:08 / E Mërkurë, 01 Korrik 2026 / Z S

Rasti i Erion Veliajt, gjykata merr vendim

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që kishte lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Vendimi nr. 57, datë 25 maj 2026, është marrë pas shqyrtimit të kërkesës së Veliajt, i cili kundërshtoi vendimet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe të Gjykatës së Lartë lidhur me masën e sigurisë të caktuar ndaj tij, shkruan A2CNN. 

Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerëson se Gjykata e Lartë nuk ka ushtruar një kontroll kushtetues të plotë dhe efektiv mbi vendimin për masën e sigurisë.

Sipas Kushtetueses, nuk është analizuar në mënyrë të mjaftueshme proporcionaliteti i masës në raport me funksionin publik të ushtruar nga kërkuesi, nuk janë shqyrtuar konkretisht masat alternative ndaj paraburgimit dhe nuk është dhënë një vlerësim kushtetues për ndikimin që masa e sigurisë ka mbi ushtrimin e mandatit të fituar përmes zgjedhjeve.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe ta kthejë çështjen për rishqyrtim, duke kërkuar që shqyrtimi të bëhet në përputhje me standardet kushtetuese të përcaktuara në vendimin e saj.