Rasti i gazit lotsjellës në kuvend, dështon seanca ndaj Haxhiut, Kadajt e Lekajt

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore për rastin e gazit lotsjellës në Kuvend, ndaj Albulena Haxhiut, Donika Kadajt dhe Pal Lekajt, transmeton IndeksOnline.
Të akuzuarit përballen me veprën penale: “Armëmbajtje pa leje”, pasi sipas aktakuzës në shkurt të vitit 2016 kishin futur bombola me gaz lotsjellës në sallën e kuvendit, gjatë kohës sa ushtronin funksionin e deputetit.
Në maj të vitit 2021, Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte shpallur të pafajshëm për mungesë provash.
Por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit në tetor 2022 e rrëzoi vendimin dhe urdhëroi rigjykim të plotë të çështjes.
Ky rast kishte nxitur reagime të mëdha publike dhe politike në atë kohë, pasi hedhja e gazit lotsjellës në kuvend ishte bërë si formë proteste ndaj proceseve të brendshme politike, përfshirë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe dialogun me Serbinë.
Seanca e sotme pritej të mbahet në prani të të akuzuarve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë.