75 Mall Live Search
11:37 / E Hënë, 06 Korrik 2026 / P M

Rasti i Vitës, LBK kërkon publikimin urgjent të rezultateve të analizave

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) shpreh mbështetjen e saj të plotë për kompaninë prodhuese Vita dhe u bën thirrje Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe institucioneve përgjegjëse që të publikojnë pa asnjë vonesë rezultatet zyrtare të kontrolleve dhe analizave në sektorin e qumështit.

LBK mbështet plotësisht zbatimin e ligjit, kontrollet profesionale dhe mbrojtjen e sigurisë ushqimore, por kundërshton çdo kontroll të motivuar apo të ndikuar politikisht. Rezultatet duhet të jenë ekskluzivisht profesionale, të pavarura dhe të liruara nga çdo ndërhyrje politike apo interes tjetër.

Çdo ditë vonesë në përfundimin e analizave dhe publikimin e rezultateve po shkakton dëme të mëdha për kompaninë Vita, blegtorët, fermerët, përpunuesit dhe gjithë sektorin e qumështit. Kjo pasiguri po dëmton prodhimin vendor, po rrezikon vendet e punës, po cenon reputacionin e produkteve të Kosovës dhe po rrezikon tregjet vendore e ndërkombëtare të fituara me shumë mund.

Çdo vonesë dhe çdo veprim i tillë në praktikë i shkon në favor produkteve të importuara, duke dobësuar konkurrueshmërinë e prodhuesve vendorë dhe duke goditur një nga sektorët më strategjikë të ekonomisë së Kosovës.

Prandaj, kërkojmë që procedurat të përfundojnë urgjentisht, rezultatet të publikohen me transparencë të plotë dhe pa asnjë ndikim politik. 

LBK shpreh qartë kundërshtimin e saj ndaj çdo forme presioni politik apo spektakli institucional që cenon pavarësin e sundimit të ligjit dhe krijon pasiguri për bizneset. Veprimet institucionale duhet të jenë profesionale, proporcionale dhe të bazuara vetëm në ligj.

Mos e dëmtoni sektorin e qumështit. Mos e dëmtoni blegtorinë dhe prodhimin vendor. Çdo vonesë dhe çdo vendim i ndikuar politikisht dëmton fermerët, bizneset e Kosovës dhe i hap rrugë importit në dëm të ekonomisë sonë.