Rasti për vrasjen e trefishtë në Gllogjan Rihapet Shqyrtimi Gjyqësor, avokati Koci deklarohet para mediave
Gjykata Themelore në Pejë nuk ka shpallur aktgjykimin ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan në vitin 2021.
Në vend të kësaj, gjykata ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim. Pas seancës, avokati i familjes së të dëmtuarve, Arianit Koci, tha se është proceduar një provë e re, çka sipas tij ka ndikuar në rihapjen e hetimeve.
“Si përfaqësues i familjes së të dëmtuarve, jemi të kënaqur. Pas kësaj do të merret vendimi. Gjykata e ka arsyetuar vendimin e saj. Bëhet fjalë për një video dhe për fjalën përfundimtare të prokurores”, deklaroi Koci. Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se e kryen sulmin për motive hakmarrjeje, duke synuar shoferin e autobusit, të ndjerin Gani Gjokaj, të cilin familja Mehmetaj e fajësonte për vetëvrasjen e Heroina Mehmetajt. Nga të shtënat mbetën të vrarë edhe dy nxënës 17-vjeçarë, ndërsa një person tjetër u plagos rëndë. Prokuroria pretendon se sulmi ishte planifikuar me kujdes dhe u realizua në bashkëveprim nga tre të akuzuarit.

