Pas një seance maratonike, paraburgim 30-ditor për të arrestuarit në aksionin “Qielli i thyer”

Pas një seance që zgjati mbi 12 orë, Gjykata Themelore ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh për 22 të arrestuarit në kuadër të operacionit të gjerë antidrogë të koduar “Qielli i thyer”.
Seanca nisi të martën në orën 14:00 dhe përfundoi rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm. Të dyshuarit, të arrestuar gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia dhe Prokuroria në bashkëpunim me institucione të tjera hetimore, akuzohen për shpërndarje dhe shitje të lëndëve narkotike.
Aksioni u zhvillua në 47 lokacione të ndryshme dhe për realizimin e tij u angazhuan rreth 600 zyrtarë policorë. Operacioni ndërkombëtar, që u mbështet edhe nga autoritetet belge, holandeze dhe Europol-i, është vlerësuar si një ndër më të mëdhenjtë në luftën kundër narkotikëve në Kosovë.
Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar:
- Sasi të konsiderueshme të narkotikëve
- 129 vetura
- 134,900 euro para të gatshme
- 20,040 franga zvicerane
- 490 dollarë amerikanë
- 13,000 euro para të falsifikuara
- 9 orë dore të markave të njohura
- 36 armë të llojeve të ndryshme
- 1,569 fishekë dhe 1,292 copë municion të ndryshëm
- Pajisje për paketimin e heroinës dhe kokainës
- Laptopë, telefona, USB dhe dokumente të tjera relevante
Po ashtu, janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 500 mijë euro, ndërsa të gjitha pasuritë e paluajtshme të të dyshuarve janë vënë nën urdhër ndalimi.
Prokuroria ka njoftuar se hetimet janë në vazhdim dhe se priten edhe arrestime të tjera. Rasti “Qielli i thyer” konsiderohet si një nga operacionet më të mëdha kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë në vitet e fundit.