75 Mall Live Search
19:21 / E Martë, 17 Tetor 2017 / indeksADMonline

“Rastit ‘Toka’, neglizhencë e EULEX-it”

Mbrojtja e të dyshuarve në Rastin “Toka” po ankohet për mos fillimin e gjykimit të të dyshuarve në këtë rast. Këtë neglizhencë e shohin edhe si përpjekje të EULEX-it për të vazhduar mandatin në Kosovë.

Mos fillimin  e gjykimit të ish komandantit të UÇK-së, Azem Syla dhe të akuzuarve tjerë mbrojtja po sheh si përpjekje të misionit të EULEX-it  për zgjatje të mandatit të tyre.

“Në rastin konkrete si një rast që ata e konsiderojnë e si rast kompleks me një numër të madh  të pandehurve gjykoj se është një arsye më shumë se kaq, është faza kur EULEX-i duhet të përgatitet për vazhdimin e misionit të vet edhe më vonë  një rast i tillë sigurisht do t’i shërbente edhe gjyqtarit ose vetë misionit për të vazhduar jetën edhe më tutje në Kosovë”, tha avokati Besnik Berisha, për RTK.

Avokati mbrojtës i  Azem Sylës, përveç neglizhencës së EULEX-it thotë se në rastin e klientit të tij  ka një neglizhencë edhe nga Këshilli Gjyqësorë i Kosovës.

“Është po ashtu edhe një neglizhencë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës sepse në rastin kur aprovohet një kërkesë e misioni EULEX për të marr një çështje në kompetencë, atëherë do të duhej ta trajtonin dhe ta monitoronin, progresin e asaj lënde, gjyqtarët vendor punojnë lëndë  shumë më shpejt, posaçërisht te Gjykata e Apelit, me rastin tonë për një muaj e gjysmë do të kishin një përgjigje për aneksën e parashtruar, ndërsa në rastin konkret nga maji i viti të kaluar nuk kemi përgjigje”, tha ai.

Në fund avokati Berisha thotë se edhe ai por edhe klienti i tij  kanë përshtypje  se do ti nënshtrohen një procesi  me prova jokredibile  me dëshmitarë që kanë lloj-lloj motive, por jo për ta thënë të vërtetën.

Vitin e kaluar prokuroria Speciale kishte ngritur dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve ishte edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, në rastin e njohur tashmë me emrin ‘Toka’.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje  mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.