75 Mall Live Search
12:43 / E Hënë, 15 Dhjetor 2025 / AR

Ray J hedh akuza ndaj Kimit dhe Krisit

Ray J ka ashpërsuar akuzat ndaj Kim Kardashian-it dhe Kris Jenner-it, duke pretenduar se ato kanë qenë të përfshira në veprimtari kriminale të organizuar dhe shkelje të ligjit federal RICO.

Këngëtari 44-vjeçar pohon në dokumente ligjore, të siguruara nga TMZ-ja, se themeluesja e SKIMS-it dhe nëna e saj kanë bashkëpunuar me Vivid Entertainment-in për të “mashtruar publikun” përmes një padie të rreme për shpifje të ngritur kundër tij.

“Sipas meje, Kim dhe Kris kanë qenë vazhdimisht të përfshira në një ndërmarrje kriminale dhe kanë shkelur  ligjin RICO herë pas here. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”, deklaron Ray J në dokumente.

Ai i ka kërkuar gjykatës të rrëzojë padinë e ngritur ndaj tij, duke argumentuar se shkeljet ligjore të supozuara nga Kardashian dhe Jenner janë “më të rënda” sesa akuzat që janë ngritur ndaj Sean “Diddy” Combs në çështjen e tij federale për trafikim seksual.

Ray J shkon më tej duke pretenduar se dyshja nënë–bijë ka kryer edhe mashtrim me karta krediti ndaj tij dhe familjes së tij, duke krijuar një faturë prej rreth 850 mijë dollarësh.

Kardashian dhe Jenner ngritën një padi për shpifje ndaj Ray J në tetor, pasi ai kishte deklaruar publikisht se po bashkëpunonte me autoritetet federale për të ndërtuar një çështje RICO kundër tyre. Një muaj më vonë, Ray J u kundërpërgjigj me një kundërpadi, duke pretenduar se ato kishin qenë përgjegjëse për publikimin e videos së tyre intime në vitin 2007.

Ai e quajti padinë për shpifje një veprim “publiciteti, pushteti dhe ndëshkimi”, duke thënë se ishte ndëshkuar sepse “nuk pranon më të luajë sipas versionit të tyre të historisë”.

Sipas Ray J, videoja intime u filmua me pëlqimin e të dyve në vitin 2003, ndërsa vendimi për publikimin e saj u mor në vitin 2006, me përfshirjen e Kardashian dhe Jenner. Ai pretendon se të tre palët kanë nënshkruar një marrëveshje për publikimin përmes Vivid Entertainment-it.

Në dokumente, Ray J shton se Kris Jenner, Kim Kardashian dhe ish-bashkëshorti i saj Kanye West e kanë akuzuar më pas publikisht në mënyrë të rreme për sulm seksual, pornografi hakmarrëse dhe shantazh, përfshirë edhe në emisionin e tyre në Hulu.

Ai gjithashtu pretendon se, pas një marrëveshjeje ku Kardashian dhe Jenner ranë dakord t’i paguanin 6 milionë dollarë dhe të mos përmendnin më publikisht videon, kjo marrëveshje u shkel “pothuajse menjëherë” nga ana e tyre. Sipas tij, ai u mashtrua për të nënshkruar marrëveshjen dhe u tentua të shantazhohej nga avokatët e Kardashian-it pasi foli për çështjen në një podcast në vitin 2024.