Ray J kundërgodet Kimin dhe nënën e saj: Po më përdorin për famë dhe hakmarrje
Saga ligjore mes Ray J dhe familjes Kardashian-Jenner është ashpërsuar edhe më shumë. Reperi ka dorëzuar një përgjigje zyrtare dhe një kundër-padi ndaj padisë për shpifje që Kim Kardashian dhe nëna e saj, Kris Jenner, ngritën kundër tij në lidhje me kasetën e famshme seksuale të publikuar vite më parë.
Në dokumentet e dorëzuara më 13 nëntor, Ray J (William Ray Norwood Jr.) akuzon Kim dhe Kris për shkelje të një marrëveshjeje me vlerë 6 milionë dollarë, e arritur në vitin 2023, që lidhej pikërisht me këtë kasetë.
Ai mohon kategorikisht të gjitha akuzat për shpifje dhe e përshkruan padinë e tyre si një “shfaqje publike e mbushur me gënjeshtra të keqija”.
Sipas tij, qëllimi i vërtetë i Kardashian dhe Jenner nuk është mbrojtja e reputacionit, por “përfitimi publik, pushteti dhe hakmarrja”, ndërsa pretendon se po përdoret për të rritur audiencën dhe vëmendjen ndaj bizneseve të tyre mediatike. Ray J kërkon që padia e tyre të hidhet poshtë dhe ka paraqitur kërkesë për dëmshpërblim prej 1 milion dollarësh, si dhe mbulimin e tarifave të avokatëve dhe dëme të tjera financiare.
Në kundër-padinë e tij, ai deklaron se kaseta seksuale është xhiruar me pëlqimin e të dyve dhe se që në vitin 2006 ata kishin filluar të diskutonin mundësinë e publikimit. Ray J akuzon Kim dhe Kris se kanë ndërtuar me qëllim një narrativë të rreme, duke u paraqitur si viktima të një publikimi “të padëshiruar”, ndërkohë që, sipas tij, kanë shpifur dhe keqinterpretuar marrëveshjen me kompaninë Vivid Entertainment, e cila publikoi videon në vitin 2007.
Familja Kardashian-Jenner nga ana e tyre i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e Ray J dhe këmbëngul se ai ka nisur prej vitesh një fushatë akuzash të pavërteta, ndërsa beteja ligjore mes palëve duket se do të vazhdojë edhe gjatë në gjykatë dhe në opinionin publik./TAR

