Reagim i DnV-së lidhur me moscertifikimin e kandidatëve nga LS-ja
Demokracia në Veprim (DnV) ka reaguar në lidhje me vendimin për moscertifikim e Listës Serbe duke shprehur shqetësimin duke thënë se ky nuk është rasti i parë që KQZ-ja devijon nga praktikat e mëparshme dhe nga vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme.
Reagimi i plotë:
Demokracia në Veprim shpreh shqetësimin për vendimin e sotëm të KQZ-së për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe, pavarësisht se ata kanë kaluar verifikimet ligjore nga institucionet kompetente. Procesi i certifikimit është një fazë procedurale e qartë dhe e përcaktuar, e cila duhet të bazohet në kriteret ligjore dhe praktikat e konsoliduara të administrimit të zgjedhjeve, jo në interpretime apo vendimmarrje të motivuara politikisht.
DnV-ja vlerëson se ky është tashmë rasti i disatë ku KQZ-ja devijon nga praktikat e mëparshme dhe nga vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme. Përvoja e deritashme tregon se vendime të tilla, brenda pak ditësh, zakonisht anulohen ose ndryshohen nga instancat e larta të ankesave, duke krijuar vonesa të panevojshme dhe minuar besimin në administrimin zgjedhor.
Kompetencën për të verifikuar kandidatët nëse kanë plotësuar kushtet apo nuk i kanë plotësuar sipas ligjit, e ka vetëm Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll financiar të subjektiveve politike. Sipas neni 27 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Zyra i rekomandon KQZ-së për ose kundër certifikimit. Zyra këtë veprim e ndërmerr pasi që ka shqyrton listat e kandidatëve. Sipas ligjit, kompetenca e KQZ-së në këtë rast është vetëm formale për ta votuar dhe miratuar vendimin e një trupe profesionale të KQZ-së. Për më tepër, sipas nenit 30 të ligjit, përshtatshmëria juridike e kandidatëve vlerësohet vetëm mbi bazën e vlerësimeve të institucioneve relevante, filtër ky i përmbushur nga kandidatët e subjektit në fjalë.
DnV-ja rikujton se administrimi zgjedhor kërkon vendimmarrje profesionale, të pavarur dhe në pajtim me ligjin dhe u bën thirrje anëtarëve të KQZ-së, që të shmangin abstenimet dhe vendimmarrjet e tilla, por të sigurojnë që proceset zgjedhore të mos dëmtohen nga vendime që tejkalojnë kompetencat ligjore ose praktikën e deritashme.

