19:56 / E Shtunë, 04 Shkurt 2023 / MSH

Reagim i Presidentit të Feronikeli 74: Kemi kryer të gjitha procedurat për transferimet e janarit

Feronikeli 74 triumfoi sot ndaj Trepçës’89 në kuadër të Kupës së Kosovës në futboll.

Ekipi nga Drenasi mposhti minimalisht 1:0 ekipin mitrovicas në 1/8 e finales së Kupës së Kosovës.

Ndërsa, Trepça’89 ka paraqitur një ankesë në Komisionin e Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës. Sipas tyre, ekipi i Feronikelit 74 ka futur në lojë lojtarë që nuk janë të regjistruar.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit të Feronikeli 74, Erlind Krasniqi.

Ai ka thënë se FC Feronikeli 74 ka kryer të gjitha procedurat për transferimet e janarit dhe janë të qetë dhe të hapur për ankesat e kujtdo, sepse nuk pretendojnë të bëjnë diçka të jashtëligjshme apo jashtë rregulloreve sportive.

Postimi i plotë i presidentit Krasniqi:

Jemi rikthyer me futboll pas pauzës dimërore, duke fituar ndeshjen e dytë, në Kuadër të Kupës së Kosovës.

Fitoren e sotme nuk munda ta shijoj nga reagimet e njerëzve në lidhje me disa lajme që po qarkullojnë nëpër portale.

Sa për sqarim, FC Feronikeli 74 ka fituar ndeshjen në fushë, aty ku luhet futboll dhe aty ku fitohen ndeshjet dhe për këtë e dijnë edhe futbollistët e mi se sa krenar jam me ta.

FC Feronikeli 74 ka kryer të gjitha procedurat për transferimet e janarit dhe jemi të qetë dhe të hapur për ankesat e kujtdo, sepse nuk pretendojmë të bëjmë diqka të jashtëligjshme apo jashtë rregulloreve sportive.

Ne si klub mbështesim cilindo vendim të FFK dhe organeve të saja, por të gjykohesh nga portale dhe njerëz jo kompetent, nuk e durojmë asnjëherë.

Ne do të vazhdojmë të fitojmë, të shënojmë e të gëzojmë në fushë, aty ku luftojnë luftëtarët, për sa i përket jashtë fushës as nuk kam dyshimet më të vogla që kemi bërë diqka jashtë rregulloreve.