Reagimi i Abdixhikut pasi Partitë Popullore Evropiane miratuan Rezolutën pro heqjes së vizave për Kosovën

Në Kongresin e EPP-së po merrë pjesë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me liderë evropian të partive të djathta, ku është votuar rezoluta në mbështetje të liberalizimit të vizave të Kosovës.
Abdixhiku ka falënderuar Partinë Popullore të Austrisë për sponzorizimin e kësaj rezolute dhe përkushtimin e vazhdueshëm që tregojnë për Kosovën, transmeton Indeksonline.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
EPP NË MBËSHTETJE TË KOSOVËS
Në ditën e dytë të Kongresit të EPP, me sponzorizimin e partisë më të madhe austriake, Die Volkspartei (ÖVP) partisë së kancelarit austriak, Karl Nehammer, u votua rezoluta në mbështetje të liberalizimit të vizave të Kosovës. Me votat dërmuese të delegatëve të EPP, dhe me miratimin edhe të partive tona simotra që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, rezoluta bën thirrje për mbështetjen e shtetit tonë dhe qytetarëve tanë në këtë të drejtë bazike dhe tashmë të vonuar.
Falënderoj Partinë Popullore të Austrisë (ÖVP), në veçanti Sekretaren për Marrëdhënie me Jashtë, Monika Reiner dhe eurodeputetin Lukas Mandl për sponsorizimin e kësaj rezolute dhe përkushtimin e vazhdueshëm që tregojnë për Kosovën. Falënderoj poashtu dhe Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë të EPP-së, Patrick Voller në sigurimin e mbështetjes së nevojshme. Faleminderit gjithë ekipit të LDK të angazhuar në këtë proces.