75 Mall Live Search
16:00 / E Mërkurë, 26 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Reagimi i Ramush Haradinajt për “konfliktin” Kurti-Thaçi, lidhur me marrëveshjen sekrete për NATO-n

Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare Facebook, ka reaguar ndaj shkresës zyrtare që sot kryeministri Kurti ia ka dërguar kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit, në të cilën është marrëveshja sekrete e nënshkruar nga presidenti Hashim Thaçi me NATO-n, që FSK mos të ketë qasje në veri.

Ky është postimi i plotë i Haradinajt:

Pas punës maratonike të sigurimit të mbështetjes së ShBA-ve e partnerëve kryesor brenda NATO-s si dhe të parapërgaditjes e dërgimit të 3 ligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri për votim në Kuvendin e Kosovës, me 9 Janar 2019 kam shkruar edhe këtë letër drejtuar Sekretarit të NATOs Jens Stoltenberg, në të cilën e njoftoj për mandatimin historik të transformimit të FSK-së si forcë multietnike e profesionale në Ushtri të Kosovës, duke e falënderuar për bashkëpunimin e misionin 20 vjeçar në sigurimin e ruajtjes dhe paqes në Kosovë.

Qëllimi i letrës ishte të njoftohet se pas votimit të ligjeve në Kuvend, zhvlëftesohen kufizimet territoriale në letrën së ish-KM Thaçi në vitin 2013, dhe i bëj ftesë NATOs që përmes KFORit të nënshkruajmë protokoll të ri bashkëpunimi operacional, këtë herë pa kufizime territoriale.

Për të evituar populizmat dhe shqetësimet e ngritura sot rreth letrës 2013, dhe implikimeve të mundshme ligjore e Kushtetuese, siguroj qytetarët e Kosovës se sot FSK-ja ka mandat të plotë në tërë territorin e Kosovës, pa asnjë kufizim. Në këtë letër, poashtu i bëj ftesë NATOs/KFOR-it që të adaptojmë marrëdhënien tonë, pas votimit të 3 Ligjeve në Kuvend, dhe të draftojmë procedurat e reja operacionale për bashkëpunim gjithëpërfshirës pa kufizime territoriale.

Marrëdhënia me NATOn për Kosovën është ekzistenciale, dhe duhet të ruhet e kultivohet me urtësi e mençuri, gjithnjë duke respektuar të kaluarën dhe mandatin në fuqi.

Me marrëdhëniet tona strategjike nuk bën të luhet për disa tituj populist.

Lexoni Ligjet që kemi votuar dhe aty i keni të gjitha përgjigjet.

Kryeministri Kurti i ka këto korrespodenca në dispozicion të plotë në Kryeministri, poashtu i ka votuar ligjet ku FSK-ja mandatohet pa kufizime territoriale në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, dhe do të duhej të jetë i vetëdijshëm tashmë se sa historik për përmbylljen e brendshme të sovranitetit të Kosovës ka qenë përgaditja, dërgimi, dhe votimi unanim i Ligjeve të FSK-së në dhjetor 2018.