75 Mall Live Search
13:43 / E Hënë, 12 Prill 2021 / Blerim

Reagon AGK në lidhje me gjuhën seksiste të Batatinës drejtuar, Qëndresa Krelanit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj trajnerit të Llapit, Tahir Batatina, i cili dje gjatë një debati me gazetaren, Qendresa Krelani ka përdorur gjuhë fyese.

AGK kërkon nga FFK’ja që të merr masa ndaj Batatinës për gjuhën që trajneri e ka përdorur kundrejt gazetares.

Ja reagimi i AGK’së:

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, shprehet tejet i shqetësuar me gjuhën seksiste dhe fyese të trajnerit të futbollit, Tahir Batatina, në drejtim të gazetares së sportit në RTK, Qëndresa Krelani.

Batatina gjatë një emisioni televiziv i është drejtuar gazetares me fjalët: “Ti në gazetari mundesh me palu gazeta, ose me pastru diçka, por me analizu futbollin në këtë mënyrë jo…. niveli yt nuk është i një gazetareje, duke filluar prej dukjes…”

Gjuha seksiste, ofenduese dhe krejtësisht joadekuate e përdorur nga Batatina është tejet shqetësuese dhe e papranueshme. Për AGK-në, nuk është shqetësuese vetëm sa pak janë të përfaqësuara gratë në medie, por edhe si përfaqësohen ato.

AGK-ja gjithashtu kërkon nga Federata e Futbollit e Kosovës – FFK, të merr masa ndaj trajnerit Batatina për gjuhën e përdorur, si dhe inkurajon të gjitha gazetaret që pavarësisht seteorotipave të shoqërisë, të mos heqin dorë nga ushtrimi i profesionit të tyre, në cilëndo fushë që ato dëshirojnë të raportojnë”, shkruhet në komunikatë.