75 Mall Live Search
17:31 / E Diele, 29 Gusht 2021 / AR

Reagon ashpër Abdixhiku pas rekordit të zi: Pa fjalë, tragjedi kombëtare

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se ka mbetur pa fjalë pas gjendjes me Covid-19 në Kosovë, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit vdiqën 36 persona.

Ai tha se kjo është tragjedi kombëtare dhe se me javë të tëra po ngrisin zërin për rritjen eksponenciale të të prekurve në pandemi, shkruan Indeksonline.

Abdixhiku doli edhe me 8 rekomandime për të cilat vlerëson se duhet të implementohen menjëherë dhe pa vonesë.

Postimi i plotë:

Pa fjalë. Është tragjedi kombëtare kjo. Bashkëndjejmë me 36 familjet kosovare sot e me qindra të tjera që humbën të afërmit këto ditë. Jemi të gjithë në zi. Fatkeqësisht, ka javë të tëra që po ngrisim zërin për rritjen eksponenciale të t’prekurve në pandemi; pa ndonjë reagim thelbësor të Qeverisë. Abstenimi i shtetit përfundon në tragjedi.

Prandaj, i bëj thirrje pushtetarëve të Qeverisë të dalin në krye të përgjegjësisë. Të sillen si shtet. Për këtë u japim dhe 8 rekomandimet të ekspertëve tanë të shëndetësisë, rekomandime që duhen të implementohen menjëherë dhe pa vonesë:

1. Të shtohen ditët e vaksinimit në shtatë; vikendeve s’mund të pushohet më. Në këtë gjendje alarmante pushimi i shtetit është i pakuptimtë.

2. Të hapen qendrat mobile të vaksinimit nëpër secilën komunë nëpër Kosovë. Të shpërndahen vaksinat tek qytetarët tanë e të thjeshtohet i gjithë procesi vaksinues.

3. Të shtrëngohen masat për të pavaksinuarit e të lehtësohen për secilin tjetër që përfundon këtë proces të domosdoshëm e jetik.

4. Të rritet numri i stafit shëndetësor në Kosovë; në mënyrë që të ndihmohen kapacitetet e ngarkuara që i kemi sot.

5. Të vendosen të gjithë inspektorët në terren, të mbahet rregull në secilin vend. Rregullat e vendosura në letër e pa mbikqyrje mbesin vetëm fjalë.

6. Të jepen shtesat financiare për stafin aktual; të ndahet menjëherë buxhet dinjitoz dhe jo lëmoshë! Stafi shëndetësorë ka nevojë; janë të dërrmuar me mbi 18 muaj angazhim.

7. Të shtohen shtretërit për të hospitalizuar qytetarët tanë; Klinika Infektive është mbi çdo kapacitet normal.

8. Qeveria të merret vetëm me pandemi dhe me urgjencë. Të tregojë lidership e të shpëtojë jetë.