75 Mall Live Search
17:40 / E Mërkurë, 27 Gusht 2025 / AR

Reagon babai i Jozit pas shpërthimit me tritol: “S’di çfarë ka bërë djali”

Babai i ish-banorit të “Big Brother Vip Albania”, Jozefin Marku, ka thyer heshtjen pas shpërthimit me tritol në zonën e Fushë-Kuqes mëngjesin e 26 gushtit. Në dëshminë e dhënë para policisë, ai ka mohuar kategorikisht se ka ndonjë problem apo konflikt personal dhe ka theksuar se nuk është në dijeni për ndonjë situatë të ngjashme që mund të përfshijë djalin e tij. Sipas tij, familja nuk ka pasur asnjë arsye të mendojë se mund të bëhej objekt i një sulmi të tillë.

Ngjarja ndodhi në fshatin Gurëz, ku lënda plasëse ishte vendosur në portën e jashtme të banesës së shtetases M. D. Hetimet paraprake tregojnë se gruaja nuk ka pasur konflikte me askënd dhe se nuk përbënte një shënjestër të mundshme. Megjithatë, burime nga organet e rendit kanë bërë me dije se objektivi kryesor i atentatit ka qenë Jozefin Marku, por autorët dyshohet se kanë ngatërruar adresën, duke vendosur lëndën plasëse në banesën e gabuar.

Gjatë kontrollit të zonës përreth, hetuesit gjetën disa gëzhoja të vjetra, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Aktualisht, policia po analizon çdo të dhënë që mund të çojë drejt zbardhjes së motivit dhe identifikimit të autorëve të këtij sulmi të rrezikshëm. Hetimet mbeten të hapura, ndërsa familja Marku kërkon drejtësi dhe qetësi.