75 Mall Live Search
11:57 / E Martë, 16 Nëntor 2021 / B O

Reagon Besnik Tahiri: Nuk mbahet mend kështu, zgjedhjet lokale po ndikojnë edhe në funksionimin e Kuvendit të Kosovës!

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar ndaj dështimit të radhës të mbledhjes së Kryesisë.

Tahiri ka thënë se një situatë e tillë nuk mbahet mend në jetën parlamentare dhe që sipas tij në funksionimin e punës së Kuvendit kanë ndikuar edhe zgjedhjet lokale.

“Edhe sot dështoi mbledhja e Kryesisë së Kuvendit!
Ajo që dua të them është se në historinë e jetës parlamentare nuk mbahet mend që një shumicë të ketë mbi 61 vota, ndërsa tash katër, respektivisht pesë mbledhje të kryesisë dështojnë dhe sot para jush kemi 37 pika të rendit të ditës, t cilat duhet të shqyrtohen në Kuvend dhe si rrjedhojë duhet kryetari i Kuvendit të marrë një vendim që të thirre seancën, të enjten në ora 10.

Çka nënkupton kjo? Kjo nënkupton që shumica parlamentare, Qeveria, koalicioni janë në problem serioz me menaxhimin e përgjegjësive që kanë marrë për shtetin, si në Kuvend, ashtu edhe në Qeveri.
Agjenda legjislative ka qenë ambicioze, përderisa ligjet që kanë ardhur në Kuvend, janë ligje që realisht nuk hyjnë në procedurë për këtë vit. Shumica e ligjeve që kanë kaluar në lexim të parë, apo nuk kanë ardhur në shqyrtim, nuk do të mund të kalojnë për shkak të procedurave në Kuvend, dhe kështu do të kemi një agjendë legjislative, e cila nuk është përmbushur.

Të gjitha ligjet janë të rëndësishme, por Ligji për Pagat në sektorin publik që është në agjendën legjislative, bashkërisht me amandamentimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, është shumë i rëndësishëm për shkak se trajton pagën, në një situatë kur janë rritur çmimet, kur kemi rritje të shpenzimeve të mëdha të familjeve edhe të këtij sektori. Është një ndërlidhje e rëndësishme mes sektorit publik dhe atij privat në raport me këtë temë.
Zgjedhjet lokale kanë afektuar, kanë ndikuar në funksionimin e Kuvendit të Kosovës. Por, kjo nuk është thënë në Kuvend. Kur janë pyetur, gjithnjë kanë thënë se do të vazhdojmë në normalitet, do të ecim tutje, do ta shtyjmë agjendën përpara. Kjo nuk ka ndodhur. Duhet një reflektim serioz, për shkak se Kuvendi, tash e disa muaj, është jofunksional dhe është i bllokuar në detyrën që duhet ta kryejë që e ka marrë nga mandati që e merr nga zgjedhjet dhe populli” shkruan Tahiri në reagim./Indeksonline/