11:11 / E Shtunë, 19 Gusht 2023 / Gj. Sh

Reagon Burbuqe Hana për avansimin e vëllaut

Reagim/Letër e hapur,

Të nderuar drejtues dhe gazetarë të Indeksonline,

Kam mirëkuptim për faktin se ju para se të jeni një medium i lirë që informon publikun jeni një biznes që synon të jetë profitabil dhe kërkon me çdo kusht vëmendjen e publikut, pra klikimet dhe pëlqimet e tij. Duke qenë se emri im po lakohet qe disa herë në median e juaj, duke përfolur pa të drejtë edhe familjarë e kolegë të mi, e shoh të nevojshme të ju drejtohem dhe të ju lutem që këtë reagim ta merrni si qëllimmirë, pasi unë sinqerisht e shoh median profesionale si aleat strategjik në procesin e rimëkëmbjes së kompanisë dhe si mundësi që lexuesit tuaj të njihen me punën e madhe që po e bëjmë në shërbim të publikut dhe duke mbrojtur pronën dhe paranë publike.

Në TK jam qe 23 vite, ku jam punësuar si inxhiniere e re dhe gjatë kësaj kohe bashkë me kontributin e dhënë për kompaninë kam përfituar edhe një përvojë të madhe profesionale e jetësore dhe shpresoj se me angazhimin tim në krye të Telekomit të Kosovës jam duke dhënë më të mirën e mundshme që kjo kompani të rikthehet si lidere e shërbimeve të telekomunikimit në vend.

Kur, me konkurs publik, jam punësuar në PTK (viti 2000), kishte edhe mjaft të rinj e të reja të arsimuar jashtë dhe brenda vendit që po punonin me përkushtim për ta shndërruar PTK-në e atëhershme në një nga shtyllat e ekonomisë së vendit, gjithsesi duke përfituar edhe një përvojë të madhe profesionale dhe drejtuese.

Rreth dy vite pas meje në PTK, është punësuar edhe Burim Hana, vëllai im, i cili erdhi aty nga një nga shkollat më prestigjioze të inxhinierisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe ndërkohë që unë vazhdoja të punoja si inxhiniere, ai shumë herët kishte marrë përgjegjësi të larta menaxheriale. Me zgjedhjen time në krye të Telekomit të Kosovës, detyrimisht, pra me fuqinë e ligjit i është mohuar e drejta të konkurrojë për pozitat më të larta në menaxhment dhe duke e kuptuar këtë gjë ai nuk ka konkurruar në asnjë pozitë që bie ndesh me ligjin. Duke pasur parasysh përvojën dhe aftësimin e tij profesional dhe duke konsideruar që askush nuk ka të drejtë të ja mohojë një të drejtë që ja lejon ligji, unë me asgjë nuk jam përzier në garën e mëtejme dhe konsideroj se nuk është favorizuar në konkurrim, përkundrazi mendoj se fakti që unë ndodhem në krye të kompanisë, atë personalisht e ka dëmtuar në karrierë.

Kam frikë se fushata e juaj nuk ka të bëjë vetëm me vëllain apo kolegët e mi, por me qëllimin që të komprometohet një proces i ristrukturimit të kompanisë, i cili në mënyrë të rregullt dhe konkurruese po e ndërron strukturën, e cila ka qenë e emëruar nga politika dhe e cila e ka rrënuar Telekomin e Kosovës. Krejt këtë po e bëjmë pa punësuar asnjë punëtor të ri nga jashtë, vetëm duke zvogëluar numrin e pozitave të larta dhe duke ngjallur një konkurrencë të shëndoshë brenda kompanisë.

Se komprometimi i procesit të ristrukturimit është qëllimi juaj primar, e dëshmon edhe shkrimi i fundit, i Indeksonline, ku ju interpretoni arbitrarisht faktet dhe akuzoni Telekomin se  kriteret e konkursit të brendshëm janë ulur për të favorizuar në mes të tjerëve edhe vëllain e Kryeshefes Ekzekutive. Ulja e kritereve është bërë më vonë dhe pa kurrfarë ndikimi në proceset dhe për zyrtarët të cilët ju i përflisni.

Si shembull të arbitraritetit dhe kontradiktave tuaja logjike po e përmendi paragrafin ku ju thoni “se përmes zbutjes se kritereve u është mohuar konkurrimi për vende të ndryshme 1000 punëtorëve?!” Kjo tregon se ju, fatkeqësisht nuk e keni kuptuar sa duhet  temën për të cilën shkruani. Ngritja e kritereve do e rriste numrin e atyre që s’mund të konkurrojnë, e jo ulja  e tyre. Pra, ulja e kritereve vetëm sa ju jep mundësi më shumë punëtorëve që të konkurrojnë dhe nuk ka asgjë të bëjë me spekulimet e juaja. Pa dashur ta bëj avokatin e askujt, ju mund ta vërtetoni me një kërkesë për qasje në dokumente publike se kandidati/ët ka/në qenë plotësisht i/të kualifikuar për pozitën ku ka/në konkurruar.

Duke ju bërë të ditura këto fakte, çfarëdo spekulimi të mëtejmë rreth kësaj teme ju këshilloj të mos e ndërlidhni me emrin tim pasi edhe të drejtat e gazetarëve nuk janë të palimituara, sidomos kur ka të bëjë me përpjekjen e vazhdueshme dhe të dukshme të medias për të dëmtuar reputacionin e dikujt në mënyrën si po e bëni ju, pa fakte e argumente. E kuptoj se ju ndiqni interesat e pronarëve të mediumit tuaj, por duhet të kuptoni se keni edhe obligime ligjore për informim të drejtë të publikut të cilit i shërbeni ju dhe ne.

Gjithsesi, duke e parë të nevojshme të sqarohem më tej me publikun e juaj, më lejoni të ju njoftoj se gjatë kësaj kohe, sa jam në Telekomin e Kosovës, për 23 vite kam bashkëpunuar me shumë kolege dhe kolegë dhe kam zënë edhe miqësi të cilat i kam vazhduar edhe në jetën time private dhe me kënaqësi mund të them se shumica prej tyre janë ekspertë/e të zotë/nja në fushat e tyre, apo punëtorë të devotshëm të kompanisë. Ju siguroj se deri më sot, asnjëherë nuk kam përfituar nga miqësia apo lidhjet familjare dhe as nuk do të lejoj që nën udhëheqjen time të kësaj kompanie dikush të përfitojë, por as të dëmtohet për faktin se më ka familjare apo mike.

Duke ju siguruar se nuk kam kompetenca që të ju ftoj të monitoroni procesin e konkurrimit të brendshëm në Telekomin e Kosovës, derisa të mos jetë kryer,  ju lutem që të shfrytëzoni të drejtën e qasjes në dokumentet zyrtare ose t’i drejtoheni Departamentit për Relacione me Publikun, i cili në çdo kohë është në shërbimin e juaj lidhur me çdo temë që ju intereson dhe për çdo dyshim që keni.

Në fund, me sinqeritet, ju lutem të vazhdoni të interesoheni për zhvillimet pozitive në Telekomin e Kosovës, për investimet tona në infrastrukturë dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve, të jeni kritik ndaj punës dhe performancës sonë, duke ju kërkuar që gjithnjë të kujdeseni që të bazoheni në fakte dhe të merrni opinionin e palëve përpara se të formuloni apo paragjykoni një ide apo version përfundimtar, çka besoj se është edhe misioni i një mediumi. Natyrisht se nuk pres nga ju të bëni zëdhënësin e Telekomit të Kosovës, por as atë të interesave të ndryshme që kanë dashur dhe duan të përfitojnë nga kompanitë publike. Shpresoj të raportoni për proceset, sukseset apo gabimet, duke pasur hapësirë të shprehjes dhe argumentimit për të gjitha palët në proces. Vetëm kështu i mundësoni publikut të formojë një opinion të bazuar në fakte dhe duke i dëgjuar të gjitha palët, mundësisht të identifikueshme, pasi anonimiteti në të shumtën e rasteve vë në dyshim qëllimet e mira të raportimit.

Me konsideratë të lartë për misionin e mediave të pavarura e profesionale,

E juaja Burbuqe Hana