Reagon deputetja e Kosovës pas shembjes së rrugës në magjistralen Klinë-Gjakovë

Pas reshjeve të shiut sot është shembur një pjesë e rrugës magjistrale Klinë-Gjakovë.
Në këtë aks rrugor veçse kanë qenë duke u bërë punimet dhe ka qenë e paraparë që të gërryhet asfalti për t’u shtruar i riu, porse tashmë rruga është shembur.
E pas kësaj ka reaguar deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila më parë ishte edhe kryetare e komunës së Gjakovës.
Ajo ka bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes kur të nisen në magjistralen Prishtinë – Gjakovë apo segmentin e rrugës Klinë – Gjakovë, më konkretisht, tek Kodra e Becit.
“Rreziku i shkaktuar nga shembja e rrugës së re, mund t’i kushtojë me jetë dikujt. Punimet e “reja” të nisura në qeverinë e kaluar janë dëshmuar të standardit të paraqitur në foto. I njëjti standard me zell po synohet të bartet nga partia që udhëhoqi Ministrinë e Infrastrukturës në qeverinë e kaluar edhe në qeverinë e “re”. Pika e dytë në parimet qeverisëse të kësaj partie është ajo me “investimet” e synuara në asfalt. Nëse standardi i asfaltit dhe i qeverisjes së synuar barazohen, mund të presim pamje sikur të fotos së bashkangjitur”, ka shkruar në reagimin e saj Kusari-Lila.