75 Mall Live Search
20:50 / E Mërkurë, 27 Gusht 2025 / S Z

Reagon Dimal Basha: E çmoj lart luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit tonë për liri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar pas publikimit në media të një punimi të vitit 2012, ku figuron si bashkautor dhe ku janë bërë aludime se në të përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Basha ka thënë se nuk është hera e parë që po sulmohet me të pavarteta nga qarqe të caktuara.

“Nuk është hera e parë që sulmohem me të pavërteta nga qarqe të caktuara, mirëpo para gjithë qytetarëve kam përgjegjësinë dhe obligimin t’ju jap llogari dhe sqarim për akuzat e ngritura sot. Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë”, “, ka shkruar Basha në Facebook..

Basha ka thënë se në lidhje me këtë çështje, tashmë është sqaruar për media edhe vet autorja Jana Arsovska, e cila sipas tij ka dërguar një email demantues.

“E ka bërë të qartë që unë kam dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen në atë kapitull”,ka thënë Basha.

Ndërsa ka pohuar se çmon lart luftën e UÇK-së dhe sakrificen e popullit për liri.

“Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë. I kërkoj falje qytetarëve që janë shqetësuar nga ky raportim i rremë, dhe prandaj lus mediat që të raportojnë drejtë dhe saktë, e në veçanti për tema kaq të ndjeshme, që nuk lidhen vetëm me mua personalisht, por me tërë popullin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Basha./Indeksonline/.