Reagon edhe Abdixhiku për dënimin e Vukotiqit: Krimet e luftës as nuk vjetërsohen e as nuk harrohen

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar për dënimin e sotëm të Zoran Vukotiq për dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri.
Ai ka thënë se krimet e luftës as nuk vjetërsohen e as nuk harrohen. Drejtësia e vonuar – edhe pas 23 vitesh – është megjithatë drejtësi, transmeton “Indeksonline”.
“Dënimi i sotëm duhet t’i shërbejë prokurorisë si motiv për t’i sjellë para drejtësisë secilin kriminel që sot mbetet i lirë; e këtyre të fundit për t’u bërë të qartë që një ditë – megjithatë – dora e drejtësisë së Republikës së Kosovës do t’i gjejë”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Krimet e luftës as nuk vjetërsohen e as nuk harrohen. Drejtësia e vonuar – edhe pas 23 vitesh – është megjithatë drejtësi.
Zoran Vukotiq është i dënuari i parë në Kosovë për dhunim seksual të një gruaje shqiptare. 10 vjet burg nuk zhbëjnë vuajtjet sistematike të grave e burrave shqiptarë; porse mbesin shenjë e obligimit tonë shoqëror e historik për dëshmim të krimit si krim.
Dënimi i sotëm duhet t’i shërbejë prokurorisë si motiv për t’i sjellë para drejtësisë secilin kriminel që sot mbetet i lirë; e këtyre të fundit për t’u bërë të qartë që një ditë – megjithatë – dora e drejtësisë së Republikës së Kosovës do t’i gjejë.