13:46 / E Diele, 02 Gusht 2020 / indeksADMonline

Reagon Haradinaj Stublla pas ndalimit të ish-luftëtarit Murtez Kastrati: Posa të mbyllen dyert e të ashtuquajturit dialog, Serbia vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka kontaktuar homologun e saj shqiptar, Gent Cakajn për të sqaruar ndalimin e ish-lufëtarit të UÇK-së, Murtez Kastratit nga policia e Shqipërisë.

Cakaj ka vepruar shpejtë dhe ka sqaruar që Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh, shkruan Indeksonline.

Ministrja thotë se është e papranueshme se si Serbia shtiret ndërkombëtarisht për kinse ‘konstruktivitet’ ndaj Kosovës, ndërsa posa mbyllen dyert e të ashtuquajturit dialog, vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës.

Postimi i plotë:

Me të lexuar njoftimin nga z. Hysni Gucati, rreth ndalimit të ish luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z.Murtez Kastratit, kam kontaktuar menjëherë homologun shqiptar z.Gent Cakaj, i cili ka vepruar shpejtë dhe ka sqaruar që z. Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh.

Është e papranueshme se si Serbia shtiret ndërkombëtarisht për kinse ‘konstruktivitet’ ndaj Kosovës, ndërsa posa mbyllen dyert e të ashtuquajturit dialog, vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës.

Kërkesat e Serbisë përmes INTERPOL-it duhet të azhurnohen nga autoritet e Shqipërisë, dhe të reflektojnë realitetin politik e ligjor të Kosovës. Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë Qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bashkëpunim të ngushtë me homologun Cakaj, do të veprojmë konform kompetencave tona ligjore e kombëtare, që të mos lejojmë turpërimin e maltretimin e shqiptarëve para kërkesave të tilla jolegjitime dhe joligjore të Serbisë.

Përkrahja e vlerave të UÇK-së dhe pastërtisë së saj, nuk është vetëm çështje deklaratash!