75 Mall Live Search
10:23 / E Hënë, 15 Shtator 2025 / S Z

Reagon Komuna e Shtimes pas lajmeve se bartja e mbeturinave po bëhet me traktor: Shpifje e ulët në kohë të fushatës

Komuna e Shtimës ka reaguar pas raportimeve se bartja e mbeturinave në këtë komunë po bëhet me traktor. Në reagimin e Komunës së Shtimes thuhet se kjo është një shpifje e ulët dhe se lajmet e tilla janë tërësisht tendencioze në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, me qëllim për ta mashtruar opinionin publik.

“Duam të sqarojmë se traktori i paraqitur në atë storie i përkiste kompanisë “Pastërtia” dhe ishte përdorur për mbledhjen e mbeturinave në vitin 2021, pra shumë kohë para mandatit aktual qeverisës, andaj paraqitja e tij si realitet i tanishëm është e pavend dhe tendencioze. Ndërkohë, gjatë këtij mandati janë modernizuar shërbimet e menaxhimit të mbeturinave, ku janë shtuar katër makineri moderne për këtë qëllim: një përmes partneritetit gjerman, dy nga qeveria japoneze dhe një nga GIZ-i gjerman”, thuhet në reagimin e Komunës së Shtimës.

Reagimi i plotë:

Komuna e Shtimes njofton opinionin publik se sa i përket një storie të publikuar nga Televizioni 7, ku përmes një qytetari është tentuar të paraqitet një realitet fiktiv se grumbullimi i mbeturinave në territorin tonë bëhet me traktor, kjo përmbajtje është tërësisht tendencioze në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, me qëllim për ta mashtruar opinionin publik.

Ky raportim ka dështuar të përmbushë parimet minimale etike dhe profesionale të gazetarisë, pasi nuk është kërkuar fare përgjigje apo prononcim nga Komuna e Shtimes përpara publikimit të informacionit, gjë që është e domosdoshme sipas standardeve të raportimit të drejtë.

Duam të sqarojmë se traktori i paraqitur në atë storie i përkiste kompanisë “Pastërtia” dhe ishte përdorur për mbledhjen e mbeturinave në vitin 2021, pra shumë kohë para mandatit aktual qeverisës, andaj paraqitja e tij si realitet i tanishëm është e pavend dhe tendencioze.

Ndërkohë, gjatë këtij mandati janë modernizuar shërbimet e menaxhimit të mbeturinave, ku janë shtuar katër makineri moderne për këtë qëllim: një përmes partneritetit gjerman, dy nga qeveria japoneze dhe një nga GIZ-i gjerman.

Këto investime tregojnë angazhimin tonë të palëkundur për të garantuar një ambient më të pastër dhe shërbim cilësor për qytetarët e Shtimes.

Komuna e Shtimes do të vazhdojë të jetë transparente dhe e hapur për bashkëpunim me çdo medium, por gjithmonë kërkon nga mediat respektimin e standardeve profesionale dhe etikës gazetareske.