18:33 / E Mërkurë, 04 Mars 2020 / indeksADMonline

Reagon këshilltari i Vjosa Osmanit: Thaçi ka urdhëruar konvokimin e seancës

Lidhur me kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për mbajtjen e seancës në Kuvend, ku do të raportonte para deputetëve për vizitën dhe takimet e tij në SHBA, ka reaguar këshilltari i kryeparlamentarës Osmani, Faton Peci.

Ai në një status në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka thënë së kryetarja e Kuvendit, nuk e ka refuzuar mbajtjen e seancës së kërkuar nga presidenti i vendit, por datën e cakton Kuvendi dhe nuk atë nuk e imponon asnjë institucion tjetër.

Faton Peci ka shtuar se Presidenti nuk ka kërkuar por ka urdhëruar konvokim e një seance të Kuvendit, dhe kjo sipas tij nuk mund të bëhet as në bazë të Kushtetutës.

Tutje në postimin e tij thuhet se Thaçi nuk ka kërkuar raportim e as seancë të jashtëzakonshme, por vetëm adresim, ndaj të cilit deputetët nuk mund të bëjnë pyetje apo komentë pas fjalimit të tij.

Ky është postimi i tij i plotë:

1. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani nuk e ka refuzuar mbajtjen e seancës së kërkuar nga presidenti i vendit, por datën e cakton Kuvendi dhe nuk e imponon asnjë institucion tjetër

2. Presidenti nuk ka kërkuar, por ka urdhëruar konvokimin e një seance të Kuvendit të Kosovës sot për sot, veprim i cili nuk mund të bëhet as në bazë të Kushtetutës, por as në bazë të praktikave të mëhershme të presidentëve të mëparshëm

3. Presidenti nuk ka kërkuar raportim e as seancë të jashtëzakonshme, por vetëm adresim, ndaj të cilit deputetët nuk mund të bëjnë pyetje apo komente pas fjalimit të tij.