Reagon kryetari i Kaçanikut: Edhe pacientet e komunës tonë do të dërgohen jashtë vendit për trajtim

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka reaguar sot lidhur me disa shkrime sa i përket trajtimin dhe dërgimit të pacientëve që kanë pësuar nga shpërthimi në Ferizaj.
“Sot gjatë tërë ditës me kujdes të shtuar dhe me shqetësim kemi përcjellur situatën e krijuar rreth trajtimit të të lënduarve në Ferizaj, dy prej të cilëve janë nga komuna jonë. Shqetësim më të madh ndajmë sidomos me rastin e manipulimit nga ana e portaleve dhe qytetarëve të caktuar, ku edhe në këso situata gjejnë kohë për propaganda”, ka shkruar Ilazi.
Ai ka thënë se pas kontakteve të vazhdueshme që kishte me Ministrin e Shëndetësisë, drejtuesit në QKUK dhe me kryetarin e Komisionit për vlerësimin e pacientëve për trajtim jashtë shtetit, është njoftuar se ata po vazhdojnë të trajtohen në Prishtinë, ndërsa pritet që të transferohen në Turqi, Slloveni ose në Austri për trajtim të mëtejmë.
“Dy nga pacientët e parë që shkuan sot për trajtim në Turqi, gjithmonë sipas krerëve të QKUK-së kanë djegie afër 50 shkallë, ndërsa dy nga komuna jonë kanë djegie nën 40 shkallë. Pra rastet janë trajtuar sipas shkallës së djegies. Kurse edhe të tjerët së shpejti pritet të transferohen jashtë vendit, sapo të krijohen kushtet dhe kapacitetet nga ana e spitaleve aty, e jo në mungesë të mjeteve, ashtu edhe siç është aluduar”, ka thënë në Reagimin e tij Ilazi.
Ai po ashtu ka vënë në dukje se ka kontaktuar Dr. Lul Rakën, si dhe ka marrë informacionet e duhura për dy qytetarët e komunës së Kaçanikut.
“Ndërkohë, ju bëjmë me dije se në asnjë rast, nuk dëshirojmë të propagandojmë, e sidomos në rast të fatkeqësive me jetë njerëzish. Duke ju bërë thirrje disa faqeve që mos të manipulojnë me familjarët e të lënduarve, të lutemi së bashku për shërimin e shpejtë të tyre. Mbesim në kontakt për çdo zhvillim të ri”, përfundon reagimin e tij kryetari i Kaçanikut.