Reagon Llapi në mesnatë: Alidema nuk do të transferohet te Prishtina
Skuadra e Llapit ka lëshuar një njoftim në orët e vona të së hënës, që lidhet me të ardhmen e futbollistit Festim Alidema. Gjatë ditës mediumet kosovar kanë raportuar që Alidema mund të nënshkruaj me Prishtinën, por llapjanët tregojnë që ai ka kontratë me Llapin dhe detyrohet të vazhdoj me këtë klub. Ky është reagimi i Llapit.
“Duke parë që para pak çastesh, GazetaSheshi ka publikuar lajm kinse futbollisti ynë, Festim Alidema i ka premtuar FC Prishtinës se nëse nuk arrin të dal në Europë për të luajtur, do iu bashkohet atyre, ne si klub jemi të obligueshëm të reagojmë ndaj këtij lajmi tendencioz dhe shqetësues për adhuruesit e KF Llapit.
KF LLAPI është thellë i indinjuar me këtë lajm aspak të vërtetë të Gazetës Sheshi në lidhje me Festim Alidemën i cili përpos që ka kontratë ende me klubin, ai është futbollist i Llapit deri kur kryetrajneri Tahir Batatina arrin marrëveshje për ta transferuar atë në ndonjë klub europian.
Portalet e këtij lloji të informimit i bëjnë dëm shumë klubeve tona dhe futbollit kosovar, pasi nuk dihet se çfarë interesi ka GazetaSheshi që të shkruaj këtë lajm të pavërtetë ku pas konsultimit të trajnerit Batatina me Festimin, ai nuk ka asnjë marrëveshje me asnjë klub të Kosovës, lëre më Prishtinën e aq më pak Remzi Ejupin.
Përpos që e kemi në skuadër talentin tonë, Klubi futbollistik “Llapi” është tej mase i lumtur me grumbullimin e tij në Përfaqësuesën e Kosovës me shpresë që do ftohet në çdo grumbullim sepse Festimi me të vërtetë ka treguar se është super lojtar” thuhet në njoftimin e Llapit.