13:58 / E Enjte, 08 Qershor 2023 / GF

Reagon “Made Group Construction” pas vendimit të NPB për anulimin e “Projektit në Lakrishte”

Made Group Construction reagon në lidhje me vendimin e Komisionit të Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore për shkak të anulimit të kontratës së projektit afaristo-banesor në Lakrishte.

Reagimi i plotë:

Përmes mediave jemi njoftuar se Komisioni i Aksionarëve i Ndërmarrjes Publike Banesore, sot ka marrë vendim për anulimin e kontratës me konsorciumin e udhëhequr nga Made Group Construction për ndërtimin e projektit afarist dhe banesor në Lakrishte. Konsorciumi bënë me dije se kontrata e nënshkruar si akt noterial nuk mund të anulohet nga asnjë organ i brendshëm i NPB-së, pasi që këtë kompetencë e ka vetëm gjykata në Kosovë. Në anën tjetër sa i përket shkëputjes ajo nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme përshkak se duhet ti nënshtrohet të njëjtëtës procedurë mbi të cilën është lidhur, pra duhet të bëhet me akt tjetër noterial.

Made Group Construction i kujton Kuvendit të Aksionarëve dhe publikut të gjerë se kjo kontratë është sfiduar deri më tani dy herë në gjykatat e Kosovës dhe në të dy rastet gjykatat nuk kanë gjetur asnjë element për të vendosur në favor të paditësve. Andaj, arsyetimi për anulimin e kësaj kontrate është përveç se i paligjshëm edhe i bazuar në arsyetime të pasakta dhe si duket i motivuar politikisht. Made Group Construction, nuk i është dorëzuar asnjë lloj presioni dhe as tendence për shantazh në lidhje me këtë projekt dhe as që do ti dorëzohet në të ardhmen. Ne kemi një kontratë në fuqi e cila kërkojmë që të zbatohet, apo në rast të dështimit të saj, të paguhen penaltitë e kontraktuara sipas marrëveshjes së palëve në këtë kontratë.

Kompania Made Group Construction i rikujton publikur se edhe pse kemi pasur mundësi që për pengesat e shkaktuara nga bordi i ri i ndërmarrjes lëndën ta dërgojmë në tribulnal të arbitrazhit për kompensim të dëmit, ne nuk e kemi bërë këtë, duke u munduar që me çdo kusht të implementojmë kontratën në fuqi si partner të vërtetë të Ndërmarrjes.